Në analizë të gjendjes ekzistuese përshkruhen në mënyrë të detajuar elementët më të rëndësishëm përbërës të saj, në të cilat përfshijmë:

  1. Muzeu i Pavaresisë
  2. Sheshi “Isa Boletini”
  3. Zhvillimet përgjatë sheshit “Isa Boletini”
  4. Port
  5. Sheshi “Pavarësia”

Në gjendjen ekzistuese vija bregdetare e zonës së studimit dhe projektit është e paaksesueshme për qytetarët dhe turistët e Vlorës. Porti i Vlorës e pengon këtë akses të drejtpërdrejtë duke qenë se sipërfaqja e cila e bën këtë lidhje është në pronësi të tij.

Projekti synon krijimin e një parku tërheqës qendror të karakterizuar nga një sekuencë hapësirash publike, që kujdesen për nevojat e ndryshme të një qyteti në zhvillim si Vlora.

Parku është konceptuar si një vatër e gjelbër, midis qytetit dhe detit që merr parasysh transformimet e ardhshme urbane dhe infrastrukturore, për të krijuar lidhje të reja fizike dhe vizuale midis të dyve.

Zona e projektit në studim ka një pozicion strategjik, përsa i përket rrugëve lidhëse që ka përreth. Këtu mund të përmendim afërsine që ka me Bulevardin Ismail Qemali, Lungomaren si dhe Rrugën Transballkanike, ku të gjitha janë rrugë të cilat kanë një fluks shumë të madh si për qytetarët e Vlorës për ta arritur në destinacione të ndryshme të rëndësishme të qytetit, si dhe për vizitorët apo kalimtarët.

Për shkak të nivelit të ndryshëm që ka parku me detin, krijohet nevoja për të bërë një materializim më të mirë të kësaj lidhje me anë të shkallëve. Këto struktura do të kenë edhe dobinë e shtuar për të vepruar si valëthyese në raste të stuhive. Efikasiteti i tyre është i provuar në rrethana të ngjashme edhe në vende të ndryshme, si brenda territorit të Republikës së Shqipërisë po ashtu edhe në vende të ndryshme Europiane dhe konsiderohen si elementë përforcues të vijës bregdetare.

Me hapësirën e re të krijuar në sheshin “Isa Boletini” një ndër parimet kryesore të konceptit është dhe definimi i hapësirave përsa i përket funksionit që ato do të kryejnë. Duke bërë të mundur ndarjen për kalim dhe atë për aktivitete bëhet dhe përcaktimi i hapësirave të gjelbërta dhe hapësira publike.

Kjo hapësirë e gjelbër do të integrohet fare mirë me aktivitete të tjera të cilat mund të jenë parqe lojrash për femijë, hapësira për skateboard, labirinte, hapësira për amfitetar, basene ujore, tapete të gjelbërta me bimë shumëvjecare, hapësira me pemë të larta, hapësira me pemë frutore, hapësira të mbjella me bimë medicinale, hapësira pushimi etj. Duke përfshirë të gjitha këto aktivitete, vetë qyteti krijon një tendencë prirjeje për qytetarin që ta vizitojnë dhe bëjnë të mundur orientimin e tij, drejt kësaj hapësire të bregdetit.