Rehabilitation of neighborhoods No. 4,5,6 in Kukes Municipality
Tiranë- Infrastruktura rrugore në këtë lagje mund të përshkruhet e amortizuar dhe me mirëmbajtje gati inekzistente. Rrugët ekzistuese janë te pashtruara me asfalt të konceptuara për një periudhe, ku primare ishte lëvizja e këmbësorëve apo e transportit të mallrave dhe jo për automjete private me intensitetin e sotëm. Kjo e fundit ka sjellë domosdoshmërinë për një ndërhyrje në shërbim të komunitetit dhe për të lehtësuar përditshmërinë e tyre.
Deri më sot nuk ka patur asnjë ndërhyrje në zonë në drejtim të përmirësimit të situatës rrugore. Në pjesë të veçanta të bllokut, mungesa e rrjetit sekondar të kanalizimeve ka bërë që të pushojnë së ekzistuari edhe ato rrugë që mund të konsideroheshin të tilla, ndërkohë nga pikpamja teknike mund të thuhet se mungojnë shtresat rrugore për disa nga rrugët e brendshme të tij. Në kushtet ekzistuese zona nuk është lehtësisht e qarkullueshme. Edhe ato pak automjete që kryqëzojnë bllokun dhe anasjelltas janë automjete të banorëve të lagjeve të detyruar të parkojnë afër banesave. Të gjitha rrugët ekzistuese sekondare kanë nevojë të trajtohen nga pikëpamja e ndërtimit të infrastrukturës jo vetëm përsa i përket ndërtimit të shtresave rrugore, por edhe për ndërtimin e rrjetit sekondar të kanalizimeve, për ndërtimin e rrjetit të ndriçimit rrugor etj. Si të tilla ato janë marrë në konsideratë në këtë projekt.
Rehabilitimi i këtyre lagjeve synon të sistemojë sheshet e pallateve dhe të krijojë disa ambiente rekreative për banorët që jetojnë dhe punojnë aty, si dhe të zgjidhë problematikën e parkimit nisur nga qarkullimi i përditshëm i automjeteve. Projekti i rehabilitimit duhet të realizojë dhe mundësojë studimin dhe analizimin e problemeve ekzistuese, si dhe dhënien e zgjidhjes më optimale. Në mënyrë që të rritet aksesueshmëria dhe siguria e levizjes si të banorëve ashtu edhe të automjeteve. Nëpër lagje është e nevojshme që të ndërhyhet në rikonceptimin e flukseve, si dhe të përmirësohen dhe rikonstruktohen kalimet ekzistuese. Në projektin e zbatimit është parashikuar krijim i lulishteve përpara pallateve më vete dhe të organizuara midis blloqeve të pallateve, me ambiente më të organizuara.Projekti i rehabilitimit të fasadave parashikon rikonstruksionin e secilit pallat më vete me zëra të detajuar, për të gjithë elementet e tij hidroizolues dhe termoizolues.