Tiranë- Rruga ”ANDON PROFKA” është pjesë kryesore e zhvillimit të sistemit rrugor të unazës së qytetit të Fierit. Eshtë vazhdimi i unazës së qytetit dhe zona e marrë në studim përfshihet në vijë lineare 575 ml. Rruga “Andon Profka” ndodhet ne lagjen ”16 Prilli”, shtrihet nga përfundimi i rrugës ” Vasil Jorgaqi” deri te fillimi i rrugës ”Jakov Mile”.

Gjendja ekzistuese e fasadave: Objektet të cilët parashikohen të restaurohen janë 20 dhe shtrihen përgjatë rrugës ” Andon Profka”. Në këto objekte janë dhe 3 vila të vjetra të cilat do të restaurohen dhe do të kthehen në identitet. Ndërhyrjet e pakontrolluara të 20 viteve të fundit kanë sjellë devijime të vijës së ndërtimit dhe zënie të hapësirave publike. Informaliteti në ndëtesat kolektive, si fenomen i shoqërisë shqiptare të këtij çerek shekulli, ndeshet edhe në këtë aks rrugor, duke dëmtuar karakteristikën e fasadave të tyre. Si problematika  kryesore mund të evidentojmë, shtesa anësore dhe në lartësi, ndryshim çarjesh, dhe ballkonesh. Gjatë rruges ka mungesë të theksuar të hapësirave publike, elementë të arredimit urban si stola, vepra arti, ambiente rekreative për femijë  etj. Në të njëjtën kohë këto ndërhyrje kanë sjellë reduktim të hapsirave të gjelbërta dhe mungesë të hapsirave rekreative çlodhëse. Rikonstruksioni, restaurimi i fasadave dhe mobilimi urban do të jetë në sinkron me zhvillimin e qendrës së qytetit. Qëllimi kryesor është ripërtëritja urbane e zonës së marrë në studim dhe qëndrueshmëria e zhvillimit mjedisor, ekonomik dhe kulturor.

Objektiva të tjerë:

  • Unifikimi i fasadave në katet përdhe duke i dhënë përparësi zonës së biznesit.
  • Restaurimi i fasadave .
  • Rikthimi i elementëve karakteristike historike kulturore të qytetit.
  • Qytet më atraktiv për qytetarët dhe turizmin.
  • Shtimi i zonës së gjelbërt.
  • Lirimi i hapsirave publike.
  • Shtimi i korsive te biçikletave
  • Fasadat

Rehabilitimi i fasadave do të konsistoje në rikonstruksionin e objekteve duke ruajtur vlerat arkitektonike të kohës në të cilën janë ndërtuar.

Koncepti i ndërhyrjes lidhet ngushtë me rrugën dhe tenton të japë alternative për të përfituar më tepër hapësirë. Rikonceptimi bëhet me qëllim kthimin e kësaj zone në një zonë me karakter social-kulturor, përmirësimit të dimensioneve të rrugës, të strukturës dhe të infrastrukturës, në përputhje me standartet bashkëkohore.