Mendo për sigurinë, dikush të pret në shtëpi!
Një incident mund të ndodhë brenda një çasti në çdo vend pune, por do të mjaftonte të mendonim një çast më shumë për sigurinë për të parandaluar lëndimet.
Mungesa e kulturës së sigurisë në punë dhe ndërgjegjësimi i ulët sjell pasoja të rënda jo vetëm te punëmarrësit e dëmtuar dhe familjarët e tyre, por edhe te punëdhënësi dhe e gjithë shoqëria. Kjo e bën sigurinë dhe shëndetin në punë një çështje të të gjithëve, prandaj është shumë e rëndësishme që të flitet sa më shumë për këtë çështje. Punëdhënësit duhet të ndërmarrin hapa konkretë drejt sensibilizimit dhe edukimit, hartimit të politikave, procedurave dhe manualëve me qëllim që siguria dhe shëndeti në punë të kthehet në kulturë personale e gjithësecilit.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit po e kthen këtë temë në një kauzë të vetën. Në thelb të politikave që janë ndërmarrë së fundmi qëndron pikërisht krijimi i një kulture organizative që garanton parandalimin e lëndimit të punëmarrësve për shkak të ambientit në punë. Politikat për sigurinë dhe shëndetin në punë shoqëruar me hartimin e procedurave dhe manualëve për zbatim do të kenë në fokus jo vetëm punonjësit e FSHZH, por edhe punëmarrësit e kompanive të kontraktuara që punojnë për projektet që FSHZH zbaton për llogari të palëve financuese. Nga njëra anë kjo ndihmon në zhvillimin e një kulture pozitive të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe nga ana tjetër nxit motivimin e punonjësve.
Politikat e organizatës do të standardizohen në përputhje me fokusin e aktivitetit dhe vlerat e FSHZH në nivel projekti dhe organizate, si dhe do të bazohen në standardet dhe praktikat më të mira të certifikuara nga organizata botërore si ILO, FIDIC, OHAS, etj.