Shkëmbi i Kavajës pret turistët me infrastrukturë të transformuar.

 

Në sfond dëgjohet një burrë i cili së bashku me familjen është rikthyer për këtë sezon vere në shtëpinë e pushimeve.  I gjendur përballë ndryshimit të rrugës “Durrsaku i vjetër” siç e njohin banorët po përpiqet të orientohet me emrat e lokaleve dhe të dyqaneve aty pranë.

Pranë tij Bleriani, djali i Miços pasi i ka njohur pushuesit pohon me kokë: “këtu jeni, po sivjet kanë bërë rrugën”.

Të dy, babë e bir shoqëruar dhe nga bashkëshortet mbajnë së bashku një biznes familjar, kafe dhe restorant, pak metra larg bregut të detit. Të bie në sy menjëherë rrethimi me lule e pemë i pronës. Miço rrëfen se ato janë mbjellë qëllimisht ndër 12 vite, për të balancuar pluhurin e madh që sillte rruga me gropa që ekzistonte aty dikur.

Keq verë thatësirë e keq në dimër, ku prona e tij kthehej në ishull mes ujit që mblidhej në rrugë.

Miço na fton brenda lokalit e na tregon çizmet jeshile prej llastiku, kujtim i çdo dite dimri, për të shpëtuar pronën nga përmbytja. Ndërkohë Xheladini, komshiu disa vjeçar i tij, vijon dhe na tregon se si kalaqaf merrte nipin dhe mbesën për të kaluar. Kishte dhe nga ata që ne mes të hallit, i thoshin: “100 lekë, të kalojmë fëmijët në anën tjetër. Ruheshim mos binte ndonjë ditë shi në gusht. Fëmijët donin plazh, po ne plazhin e fillonim pa vajtur akoma në det. Ishte për të qeshur e për të qarë” -rrëfen ai. “Kemi shpëtuar”!

 

Before After
E ndërkohë në verë kureshtarët jorezidentë i pyesnin: Ç’po bëni ashtu me ujë në mes të rrugës? Dhe Miço me humor të zi, na tregon: …”ju thosha po ruajmë ujin dhe baltën për emigrantët, meqënëse thonë balta është më e ëmbël se mjalta”!

Ai tregoi për të gjitha shpenzimet familjare, blerjen e pompës zhytëse, botin për gropat septike: “po të gjitha punët vetë, me lekët tona. Duhet të mbanin ujin e rrugës të mos hynte brenda. Nuk mbahet mend sa here kemi krijuar bordura me zhavorr, se nuk hyja dot në lokalin tim, e për më tepër në banesë, një kat më sipër”. Ndërkohë atë periudhë për fitime e xhiro ditore nuk flitej.

Zhani, bashkëshortja e tij tregon: “Pasi sistemoja brenda ambientin dilnim me radhë, të hiqnim ujin bashkë me djalin e nusen. Na u bë punë e përditshme”.  Gjithashtu në memorien e saj kishte ngelur një çift polak, dy sezone vere më parë të cilët në largim, përpiqeshin të vinin këmbët në bordura të larta për t’iu shmangur ujit, kishin tundur kokën me keqardhje, që sinjalizonte mbase për një largim të përhershëm. “Atyre do doja t’ju tregoja si kemi ndryshuar sot, e të na vinin prapë”- thotë ajo.

Projekti për rikualifikimin e rrugëve te Shkëmbi i Kavajës filloi vitin e kaluar, me nje financim të qeverisë shqiptare zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Zona është e frekuentuar nga turistë dhe vizitorë përgjatë gjithë vitit, përveç rezidentëve që kanë zgjedhur të jetojnë aty. Në kuader të projektit u ndërtua rrjeti inxhinierik nëntokësor, për të cilën bashkëbiseduesit rikujtojnë si më poshtë.

“Mirë kjo, po këta të shkretët e dinë çkanë hequr”-i drejtohet Miço Eduardit, brigadierit të punonjësve. Ai me qetësi pohon: “Kur filluam punimet në tetor 2018, kemi gjetur një xhungël të vërtetë me rrjetin nëntokësor. Rrjet merimangash, punonim direkt në kabuj të zhveshur me elektricitet. Ruheshim për ndonjë dëm me fibrat optike apo tubacionet e ujësjellësave dhe filluam punë me krahë e kazmë, metër për metër”. Por kur e shohim sot, ndihemi mjaft mirë, më beso qytetarët vijnë na përshëndesin në kantier, edhe pse në fillim ishin mosbesues.” Sot e shikon vetë, pas çdo procesi dhe sinjalistika ka rregulluar qarkullimin, ecin ngadalë duke marrë parasysh që është dhe zonë plazhi.

Në bisedë e sipër, Xheladini gjithashtu rikujton një tjetër detaj shumë të rëndësishëm: “Kur u prish rruga po shisnin dhe shtëpitë me radhë, e mbani mend? Ra vlera e pasurive të patundshme këtu në plazh, deri në 400 euro/m2. Tani hajde pyet për shtëpi, pa 700 euro/m2, mos e merr mundimin fare”.

“Ka ikur dhe pislliku, maternitet mushkonjash ishim bërë- dëgjohet Miço. Kur të shohësh fotot si ka qenë, do na kujtosh. Tani janë hapur biznese të tjera është krijuar një mjedis social, solidaritet, dalin familjet për xhiro mbasdite. Mbarojnë plazhin dhe vijnë pushojnë”.

Në fakt, vështirë të largoheshe nga ajo kafene miqësore, ambient i sistemuar në detaje. Por ndërkohë duhet të shihnim dhe projektin tjetër në përfundim, atë të sistemimit të përroit të Durrësit.

Përfaqësuesi i një biznesi aty pranë, në fushën e hotelerisë rrëfen: “Këtu ka qenë lluc i zi, mbi 3 m, gati si një gropë e madhe septike. Të mbyste era e ndenjur dhe kishim frikë për ndonjë infeksion nga insektet. Kam arritur që nga ana e moçalit” të dikurshëm e lija një dhomë me 10 euro për 5 vetë, se më iknin njerëzit. Unë nuk i’a vlente të investoja, se duhej minimalisht të lyheshin 2-3 herë në muaj muret jashtë nga balta dhe të njohurit e mi i vinin vërdallë kompleksit, për të më vizituar.

“Dihet që infrastruktura e mirë, vetëm të mira sjell.”

Mund të shihje në distancë një kompleks banesash, hotelesh të lidhura si një puzzle, në kryqëzime të vogla rrugësh ku takoheshin përditë tregtarë, familjarë, fëmijë që lëshoheshin nxitimthi me biçikleta, për të jetuar momente të reja.