Rikonstruksioni dhe rehabilitimi i rrugës së Sitit Arkeologjik Bylis dhe lidhja me autostradën (Levan-Tepelenë) në Qarkun Fier
Fondi Shqiptar i Zhvillimit vijon punimet për zbatimin e projektit i cili përfshin segmentin rrugor që lidh Parkun Arkeologjik të Bylisit me aksin nacional Levan-Tepelenë. Pikat më të rëndësishme në këtë aks janë përpos zonës arkeologjike, dhe fshatrat e Njësisë Administrative Hekal. Rruga ekzistuese është me gjatësi rreth 7 km dhe me gjerësi që varion në 3.5 ÷ 4.5 m. Seksioni rrugor nga Parku Arkeologjik për në fshatin Hekal (1.2 km) është shtruar me asfalt dhe paraqitet në kushte të mira, ndërkohë pjesa tjetër (nga qendra e fshatit Hekal për në aksin nacional Levan Tepelenë) është pjesërisht e shtruar me rërë bituminoze dhe paraqitet në kushte të amortizuara.
Projekti synon të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e aksit rrugor “Parku Arkeologjik Bylis – Levan – Tepelene” sipas kushteve si më poshtë vijojnë;
a- Gjerësia e korsive 2 x 3.00 m
b- Bankina me gjerësi 2 x 1.00 m
c- Gjerësia e trupit të rrugës 8.0 m
Projekti është i kompozuar në 7 nënkomponentë, listuar si më poshtë vijojnë:
- Punime për pastrimin e zonës (sitit – mobilizim kantieri)
- Punime për trupin e rrugës
- Punime konstruksioni në trupin e rrugës
- Punime strukture
- Punime elektrike
- Punime për tabela trafiku, shenja rrugore dhe të sigurisë
- Punime konstruksioni për qendrën e fshatit Hekal
Projektet e rrugëve rurale të cilat janë në vëmendje të Qeverisë Shqiptare në rang kombëtar, në proces implementimi nga FSHZH vijnë në funksion të zhvillimit të mëtejshëm të turizmit dhe agroturizmit, duke sjellë më pranë destinacionet e shumta të vendit përmes përmirësimit të aksesit për automjetet dhe banorët e zonës.