Vijojnё punimet nё qytetin e Vlorёs
Trashёgimia kulturore, aset nё vёmendjen e vazhdueshme tё FSHZH dhe Qeverisё Shqiptare
Projekti për “Rikualifikimin urban pranë qendrës së qytetit Vlorë, Zona A drejtimi i kullës së sahatit, Kulla e Sahatit dhe Sheshi i Flamurit”, nënobjekt Sheshi i Flamurit, është pjesë e Programit të FSHZH ‘Investimet Prioritare me Impakt në Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit’.
Qёllimi kryesor i projektit është restaurimi i monumenteve të kulturës dhe rikualifikimi urban i zonës, në mënyrë që nëpërmjet restaurimit, konservimit dhe rehabilitimit të vendbanimeve tradicionale dhe i zonave të trashëgimisë kulturore të ketë një ndikim pozitiv në turizëm dhe si rrjedhojë të sjellë një zhvillim ekonomik të zonës.
Kjo ndërhyrje nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare synon rivlerësimin e vlerave arkitektonike dhe historike të zonës, rikthimin e vëmendjes tregtare me qëllim rritjen ekonomike të zonës dhe orientimi i turizmit në qytet jo vetëm drejt atij natyror por edhe turizmit kulturor, ku vizitorëve ti ofrohen site arkeologjike (qyteti antik i Orikut, kalaja e Vlorës) por edhe një bërthamë e qytetit të ndërtuar në fundin e mesjetës. Ndërhyrjet përfshijnë;
Rikonstruksioni i rrugës “Perlat Rexhepi” dhe trotuareve;
Rikonstruksioni i godinave; AO36 (Kulla e Sahatit)/ AN24 / AN03 / BN 46 / BN 44
Rikualifikimi i dy shesheve publike (sheshi i kullës së sahatit dhe sheshi “4 heronjtë”);
Sheshi është konceptuar si një zonë shumë e rëndësishme historike që përfshin ‘Monumentin e Pavarësisë’, lulishten rreth Monumentit të Pavarësisë, Shtëpinë e Kulturës dhe rrënojat murale të qytetit antik Aulon, dhe synon të krijojë një shesh tërheqës qendror, të karakterizuar nga një sekuencë të hapësirave publike që theksojnë rëndësinë e historisë së këtyre zonave që kanë një vlerë të madhe në të gjithë Shqipërinë.
Zona e projektit ka një pozicion strategjik përsa i përket rrugëve lidhëse që ka përreth. Këtu mund të përmendim afërsine që ka me Bulevardin Ismail Qemali, Lungomaren si dhe Rrugën Transballkanike, ku të gjitha janë rrugë të cilat kanë një fluks shumë të madh si për qytetarët e Vlorës për ta arritur në destinacione të ndryshme të rëndësishme të qytetit, si dhe për vizitorët apo kalimtarët.