Në mbrojtje të mjedisit!
Impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Valbonë
Gjatë 10- vjeçarit të fundit, Qeveria Shqiptare ka filluar zhvillimin e një kuadri ligjor dhe ka ndërmarrë nisma për të ndryshuar degradimin mjedisor, i cili ka ardhur si rezultat i industrializimeve të mëparshme gjatë sundimit komunist dhe ka anashkaluar thuajse plotësisht mbrojtjen e mjedisit. Popullsia rezidente në bazë të të dhënave vlerësohet rreth 2500 banorë deri në vitin 2025. Në zonën turistike Valbonë ka kapacitete akomoduese në Guest House dhe hotele rreth 2500 – 3000 persona, si dhe llogariten rreth 185 objekte gjithsej ku përfshihen shtëpi banimi, bujtina, dhe objekte të tjera sociale dhe kulturore. Në këtë kuadër me një fluks turistik gjithnjë e në rritje është mëse e domosdoshme plotësimi i kushteve bazë si për vendasit dhe për vizitorët shqiptarë e të huaj.
Bashkia Tropojë ka parashikuar projektin për “Ndërtimin e sistemit të kanalizimeve dhe impiantit të trajtimit të ujrave të ndotura në Valbonë”.
Të gjithë shkarkimet e ujërave të ndotura nga këto sisteme krijojnë probleme mjedisore në lumenjtë, liqenet dhe dete. Aktualisht në zonë nuk kanë një rrjet kanalizimesh, si për ujërat e zeza ashtu edhe për ujërat e shiut. Ujërat e përdorura shkarkohen në cisterna / gropa septike të ndërtuara individualisht për secilën shtëpi ndërsa ujërat e shiut funksionojnë natyrshëm dhe jo në formë të organizuar. Pas ndërtimit të sistemit të furnizimit me ujë, konsumi është rritur duke shkaktuar një ndryshim në gjendjen sanitare dhe duke rritur ndotjen e mjedisit dhe të trupës ujore pritëse (Lumi Valbonë).
Në këtë kontekst zhvillimi i këtij projekti do të sjellë një ndryshim dhe do të ketë një ndikim pozitiv direkt në mjedis, duke krijuar një impiant të trajtimit të këtyre ujërave të ndotur. Mënyrat dhe metodat që do të përdoren për ndërtimin e objekteve dhe strukturave të projektit do të jenë në përputhje me standardet europiane të projektimit dhe zbatimit të tyre. Teknologjia e propozuar e trajtimit është ajo e Reaktorit me Ngarkesë Jo të Vazhduar (SBR), e cila është një teknologji e konsoliduar dhe e përdorur botërisht. Të gjitha hapat e pastrimit (ajrimi, nitrifikimi, denitrifikimi, largimi i fosforit, sedimentimi) realizohen në një basen dhe proceset e pastrimit në mënyrë të njëpasnjëshme.
Çdo lagje apo grup objektesh do të ketë rrjetin e veçuar të kanalizimeve të ujërave të zeza ku do të lidhen me kolektorin kryesor për në impiantin e pastrimit në fundin e fshatit Valbonë.