Asfaltimi i rrugës Labinot – Fushë/ Qaf Renas
Ndërhyrja për zhvillimin e këtij objekti është propozuar fillimisht nga takimet e hapura me të gjithë Grupet lokale të Interesit dhe qytetaret e çdo Njësie Administrative në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan.
Ky aks rrugor fillon nga Kryqëzimi me rrugën interurbane Elbasan- Librazhd në fshatin Labinot-Fushë dhe përfundon në kryqëzimin e rruges rurale Elbasan – Bize me rrugën e Njësisë Administrative Labinot-Mal në vendin e quajtur Qafë-Renas me gjatësi 16.8 km. Rruga ndodhet në verilindje të qytetit Elbasan dhe shtrihet në Njësitë Administrative Labinot-Fushë dhe Labinot Mal në një terren kryesisht kodrinor-malor.
Segmenti rrugor Labinot Fushë – Qaf Renas shërben si rrugë lidhëse e fshatrave si: Labinot Mal, Griqan i Sipërm, Shmili, Bene, Qafe etj. Gjendja aktuale fizike e kësaj rruge paraqitet e amortizuar. Rruga në pjesën më të madhe të saj ka shformime dhe dëmtime të theksuara të bazamentit dhe në disa vende kemi shfaqje të rrëshqitjes totale të rrugës që kërkon trajtim të veçantë të themelit dhe elementëve të rrugës si dhe drenazh dhe përforcime skarpatash. Këto dëmtime në pjesën më të madhe të rrugës kanë ardhur si rezultat i mungesës së disiplinimit të ujrave të shiut pra mungesës së kanaleve anësorë të rrugës dhe fenomenit gjeologjik të rrëshqitjes në dy segmente të saj me gjatësi totale 500m ku rrëshqitja eshtë mjaft evidente dhë kërkon zgjidhje të veçantë inxhinierike për sigurimin e stabilitetit të rrugës në këto dy segmente.
Rikonstruksioni i këtij aksi do të ndikojë drejtpërdrejtë jo vetëm në përmirësimin e infrastrukturës së zonës për banorët e saj, por do të ketë një impakt të drejtpërdrejtë dhe në rritjen e numrit të turistëve. Zona e ndërhyrjes është një zonë kryesisht bujqësore e blektorale duke ofruar produkte Bio dhe mundësi krijimi njësish të reja tregtare. Kjo pasi shumë nga këto produkte transportohen për tu shitur në tregjet e qytetit të Elbasanit dhe më gjerë. Gjithashtu në fshatin Labinot Mal ndodhet dhe burim i ujit “Gurra” pikë, që vizitohet kryesisht në periudhën Qershor – Korrik – Gusht. Ky segment rrugor do të shërbejë dhe per lidhjen me Njësitë Orenje të Bashkisë Librazhd.
Projekti është hartuar në përputhje me të gjitha normat që parashikon legjislacioni në fuqi, dhe siguron krijimin dhe respektimin e standardeve më të mira në ndërtim.