Rehabilitimi i lulishtes qendrore të qytetit, Elbasan
Fondi Shqiptar I Zhvillimit ka filluar punimet për sheshin në qendër të Elbasanit. Zona e ndërhyrjes kufizohet nga Veriu: Blv “Aqif Pasha”, Lindje : Teatri “SKAMPA”, Jug: Xhamia e Ballies (në ndërtim) Perëndim: -Sheshi Gensher & lulishte publike
Sheshi i propozuar shtrihet përgjatë bulevardit ‘Aqif Pasha’, pozicionuar ndërmjet xhamisë së Ballies në pjesën jugore dhe nga teatri ‘Skampa’ në lindje, me pamje nga muret e kalasë së Elbasanit.
Kjo zonë karakterizohet nga një fluks i madh këmbësorësh dhe mjetesh automobilistike. Në kushtet aktuale zona paraqitet si një hapësirë e vecuar, pa një lidhje të mirë me objektet përreth, duke ju privuar qytetarëve përdorimin e sipërfaqes. Kjo hapësirë përfaqëson një mundësi të mirë për të projektuar duke marrë në konsideratë natyrën urbane të zonës por dhe nevojën për tu shkrirë funksionalisht me objektin e teatrit ‘Skampa’ dhe xhamisë së Ballies.
Projekti është konceptuar të krijojë lidhje të forta me hapësirën urbane të cilës i shërben, në kontekst me objektet rrethuese. Tranzicioni nga bulevardi ‘Aqif Pasha’ në brezin e trotuarit e me tej në lulishte është mbajtur fluid, pa pengesa fizike apo vizuale. Hapësira kryesore përbëhet nga një shesh i madh i shtruar me gurë natyralë vendas, si dhe hapësira të ndryshme të gjelbëruara të cilat definojnë akset kryesore të aksesimit të sheshit në vetvete, më tej të Xhamisë, si dhe lidhjen e drejte me rrugët dytësore në pjesën perëndimore. Shtrimi në mënyrë uniforme dhe me ngjyrë te qartë e të hapur, i moduluar nga fugat kontribuon në përforcimin e sensit të vazhdimësisë së hapësirës. Akset vizuale janë mbajtur të pastra duke definuar qartazi hyrjen dhe daljen nga sheshi, dhe duke i trajtuar hapësirat e peizazhit me gjelbërim të ulët.
Në këtë mënyrë pamja në të dy krahët e bulevardit mbetet e pandërprerë dhe dallohen qartazi si Kalaja historike e Elbasanit po ashtu edhe Xhamia e Ballies, ku elementet vertikale të minareve mbeten fokusi i shikimit. Në kontrast me pjesën qendrore të lulishtes, në të dy pjesët anësore lindje dhe perëndim, propozohen sipërfaqe të gjelbëruara me bimësi të dendur, lule dhe pemë të larta. Kemi përdorim të elementeve të ujit dhe mobiljeve urbane, duke ju ofruar qytetareve një ambient me të qetë dhe natyror brenda një kompleksi me natyrë urbane.
Një dizajn i veçantë është propozuar për shtrimin e sheshit, në përpjekjë për ta bërë sa më kontekstual dhe në linjë me natyrën e objektit dominant të kësaj zone, Xhamisë. Në rastet e festave fetare apo të tejmbushjes së kapaciteteve të xhamise, sheshi mund të shërbejë si një zgjatim funksional, duke iu ofruar një ambient të konsiderueshëm besimtarëve për ritin e faljes. Shtrimi me pllaka guri të formatit 40*40cm propozohet të bëhet në rripa me një gjerësi prej 120cm të ndara ndërmjet tyre nga fuga me gjelberim (bar) me gjerësi 25.
Ky projekt synon ky projekt synon të rrisë cilësinë e ambienteve të hapura publike dhe të ofrojë një hapësirë dinamike për ushtrimin e aktiviteteve të ndryshme (sociale e fetare).