Tiranë- Në kohë për sezonin e pushimeve janë mbyllur punimet, për Projektin Zhvillimor Blloku nr.2 Roskovec. Paraditet dhe pasditet e populluara me shëtitje i japin jetë sheshit dhe aktiviteteve sociale, e iniciativat ekonomike vijojnë të zhvillohen përgjatë gjithë ditës. Hapësira e re projektuar për të gjitha grupmoshat tashmë përmbush kushtet, prej shtrimit të Bulevardit të ri me pllaka guri e deri në elementë të mobilimit urban. Me financim të Qeverisë Shqiptare ndërhyrja ka sjellë ndërtimin e një infrastrukture moderne, përmirësimin e rrjetit inxhinierik nëntokësor (KUZ, KUB dhe punime ujësjellësi) i cili i dha fund përmbytjeve në hyrjet e pallatave.

Gjatë procesit u krye dhe restaurimi i fasadave të cilat kishin humbur pas godinave të vjetra jo funksionale, që prej vitesh bllokonin hapësirën në qendër. Ndërkohë ndërtimi i godinës së re të Bashkisë krijoi kushte më dinjitoze, për marrjen e shërbimeve bazë ndaj qytetarëve. Pjesë e programit të Investimeve Prioritare me Impakt të Lartë në Zhvillimin dhe Promovimin e Turizmit, ky projekt është një ndër ndërhyrjet e shumta të parashikuara me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm social – ekonomik të lokaliteteve, duke respektuar ambientin dhe karakteristikat përkatëse të secilit qytet.