Fshati Qerret është pjesë e Njësisë Administrative Golem, Bashkia Kavajë.

Një destinacion i zgjedhur përgjatë sezonit veror ku janë të pozicionuar shumë shërbime resorte, hotele, shtëpi pushimi, restorante etj.

Me rritjen e fluksit të automjeteve dhe rritjes së kërkesave të pushuesve është bërë e domosdoshme, ndërhyrja për urbanizimin dhe gjithë infrastrukturën e nevojshme për banorët dhe bizneset e kësaj zone.

Në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financim të Qeverisë Shqiptare në funksion të zhvillimit të turizmit në vendin tonë, aktualisht vijojnë punimet për objektin: “Sistemim – asfaltim i rrugës ”Ismail Qemali ”dhe kanaleve kulluese që shoqërojnë këtë rrugë, Rruga e re e Fshatrave Turistik” .

Ky investim synon:

  • të përmirësojë qarkullimin e automjeteve,
  • të rrisë cilësinë e jetës së banorëve, përfitues direkt,
  • të lehtësojë lëvizjen e njerëzve të cilët banojnë përgjatë aksit që lidh “Fshatin Turistik Qerret me Shëtitoren Mak-Albania”,
  • të krijojë kushte të favorshme për bizneset që mund të zhvillohen në këtë Njësi Administrative,
  • të krijojë mundësinë e lidhjes së lëvizjes së mjeteve nga rruga kryesore (autostrada Durrës-Rrogozhinë) me fshatrat turistike.

Kjo ndërhyrje parashikohet të ketë një ndikim pozitiv në përmirësimin e trafikut dhe përmirësimin në mënyrë të ndjeshme të infrastrukturës rrugore, në konformitet me Studimin Urbanistik.