Tiranë- Tashmë banorët e Fushë Krujës nuk e kanë më problem primar, motin. Prej vitesh siç edhe kanë rrëfyer, ditët me shi ishin situata e tyre e emergjencës familjare. Pranë lumit të rrëmbyer askush nuk është i sigurt, e për më tepër dëmi ekonomik përsëriste veten çdo sezon.
Por prej vitit 2018, kur kanë filluar dhe punimet për rehabilitimin e Lumit Zezë dhe ndërtimin e Urës mbi këtë lum, situata ka ndryshuar rrënjësisht për mirë.
Banorët dëshmuan për herë të parë pas motit të keq, se uji nuk vërshoi në shtëpitë e bizneset e tyre.
E duke kaluar dhe disa ditë të ngjashme “kapriçiosh meteorologjike”, sërish nuk pati asnjë problematikë. Me kalimin e kohës është rikthyer qetësia, ashtu siç janë rikthyer dhe banorët që kishin braktisur vilat pranë shtratit të lumit.

Muajt kalojnë dhe punimet vazhdojnë të shfaqin rezultate.
Deri më tani janë realizuar rreth 60% e punimeve në këtë projekt, i cili në total parashikon:
o ndërtimin e urës në qendër të qytetit Fushë Kruje,
o sistemimin e seksionit te lumit me mure betonarme,
o gërmimin për thellimin dhe sistemimin e seksionit të lumit,
o mbrojtjen nga gërryerjet dhe rrëshqitjet me mure gabioni dhe në rastin ku ndodhen objekte mbrojtja do të bëhet me pilota,
o ndërtimin e argjinatura përgjatë brigjeve.
Projekti parashikohet të përfundojë gjatë këtij viti, duke zgjidhur në mënyrë përfundimtare këtë problematikë.