IVR, programi që zbut pabarazitë dhe nxit zhvillimin në nivel rajonal
Tiranë- Investimet në infrastrukturë, urbanizim e turizëm kanë shënuar rritje vitet e fundit në nivel bashkie, por duket se ato nuk kanë pasur impaktin e shpresuar në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve. Përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve (FZHR), një mekanizëm financimi në mbështetje të zhvillimit rajonal, gjatë viteve 2009-2018 Qeveria Shqiptare ka financuar rreth 56,6 miliardë lekë për realizimin e objekteve të infrastrukturës vendore dhe rajonale.
Programi “Infrastruktura Vendore Rajonale” që financohet nga qeveria shqiptare përmes mekanizmit të FZHR dhe që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, synon të sigurojë zhvillimin e qëndrueshëm rajonal përmes krijimit të sinergjive mes projekteve dhe rritjes së kohezionit social, ekonomik dhe territorial. FSHZH synon të promovojë një politikë të integruar investimesh; të inkurajojë një model gjithëpërfshirës bashkëpunimi; të krijojë partneritete me interes të përbashkët zhvillimi; të ndërtojë rrjetëzime rajonale dhe ndër-rajonale; të zvogëlojë dallimet dhe hendekun midis zonave të zhvilluara dhe të pazhvilluara.
Fondi i alokuar për IVR 2019-2021 kap shifrën e 13 mld Lekëve. Ky fond është angazhuar që në vitin 2019 me qëllim rritjen e numrit të projekteve, që do të financohen dhe vënien e tyre sa më shpejt në funksion.
Janë 25 projekte në infrastrukturë rrugore, urbanizim dhe turizëm (shih tabelën për listën e plotë) që kanë filluar të zbatohen nga FSHZH në bashkëpunim me bashkitë duke pasur objektiv kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik në kuadër të një plani më afatgjatë që shkon përtej territorit të një bashkie.
Investimet në infrastrukturë përmirësojnë aksesin dhe hapësirat urbane në zonat rurale të rajonit që kanë potencial turistik. Duke i bërë të arritshme synohet nxitja e aktiviteteve ekonomike dhe kthimi i tyre në destinacione të turizmit natyror dhe kulturor. Nxitja e aktiviteteve ekonomike si bujtina, restorante dhe shërbime të tjera kanë si efekt primar rritjen e prodhimit të produkteve nga fermerët dhe sipërmarrësit në nivel rajonal. Përmirësimi i infrastrukturës bën që fermerët të arrijnë më shpejt tregjet, me kosto më të ulët dhe të nxiten për përdorimin e teknologjive të reja në bujqësi dhe agro-industri për të qenë më konkurrues.
Duke analizuar potencialet e secilit rajonit, që deri tani nuk janë shfrytëzuar për shkak të mungesës së investimeve, çdo ndërhyrje është menduar që jo vetëm t’u përgjigjet nevojave në nivel rajonal, por mbi të gjitha të kapitalizojë këto potenciale. Në këtë mënyrë nxiten investime nga sektori privat edhe në ato bashki që deri më sot kanë qenë pak tërheqëse për investitorët, ç’ka krijon mundësi të reja për punësim ose vetëpunësim për banorët
Vetëm përmes krijimit të sinergjive mes projekteve nga niveli i bashkive në nivel rajonal mund të arrihet impakti i dëshiruar i investimeve dhe transformimi i rajoneve të Shqipërisë në vende ku cilësia e jetesës, bashkë me kuadrin socio-ekonomik dhe institucional do të rrisë mundësitë për realizimin e ambicieve të rajoneve dhe komuniteteve lokale.