TIRANË – Njerëzit mbështeten të ekosistemet natyrore për një sërë shërbimesh që nga bujqësia e deri te pastrimi i ajrit dhe ujit. Por nga ana tjetër, aktivitetet njerëzore mund të kenë ndikim negativ në ekosistemet dhe madje edhe t’i rrezikojnë ato.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është përzgjedhur së fundmi si vend partner në projektin “Strategjitë e përbashkëta dhe praktikat më të mira për përmirësimin e mbrojtjes ndërkombëtare të integritetit dhe shërbimeve të ekosistemeve” (IMPRECO), që financohet nga Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal nëpërmjet programeve Interreg ADRION.

 

IMPRECO synon krijimin e rrjetit të vendeve anëtare të BE dhe vendeve fqinje që janë proces aplikimi për anëtarësim, me qëllim aplikimin e strategjive dhe politikave të përbashkëta për mbrojtjen e ekosistemeve nga aktiviteti njerëzor dhe përmirësimin e shërbimeve të ekosistemeve.

Shqipëria, e përfaqësuar nga FSHZH është partnere me Italinë, Sllovenine dhe Kroacinë në këtë projekt.

Shërbimet e ekosistemeve janë kontributet direkte dhe indirekte të ekosistemeve mjedisore në mirëqenien e komuniteteve. Shërbimet e ekosistemeve në zonat bregdetare janë nga më të larmishmet dhe përfshijnë peshkimin e kontrolluar, guidat turistike, shëtitjet me varkë, produktet natyrore si kërpudhat, frutat e pyllit, bimët medicinale, si dhe çdo nënprodukt që përfitohet nga përpunimi i tyre.

Nëpërmjet këtij projekti synohet që të identifikohen ide novatore dhe modele të suksesshme të vendeve të BE-së mbi përdorimin e qëndrueshëm të shërbimeve të ekosistemeve. Në Shqipëri projekti do të përzgjedhë një zonë pilot ku do të përqëndrohen aktivitetet në bashkëpunim me institucionet partnere. Projekti është ende në fazën e tij fillestare dhe zona pilot do të përzgjidhet mes zonave të mbrojtura si lumi i Bunës-Velipojë, liqeni i Shkodrës, laguna e Kune-Vainit, Rrushkull, laguna e Karavastasë, Pishë-Poro, Vjosë-Nartë, Karaburun dhe Butrint.

Krahas identifikimit dhe analizimit të grupeve të interesit, studimit të trysninsë së aktivitetit njerëzor mbi ekosistemin, në kuadër të këtij projekti parashikohet të hartohet edhe metodologjia për ruajtjen e shërbimeve të ekosistemeve dhe promovimin e vlerave sociale dhe kulturore të tyre.

Për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit mbi rëndësinë e biodiversitetit, në kuadër të këti projekti në kurrikulat shkollore do të integrohen edhe module specifike me qëllim formimin e mbrojtësve të rinj të biodiversitetit dhe ekosistemeve.

Komponenti mjedisor është pjesë e të gjitha projekteve që FSHZH zbaton. Përzgjedhja si partner në projektin IMPRECO vjen në vazhdën e këtij dimensioni të rëndësishëm të FSHZH.