#UjiËshtëJetë

Pas një ndërhyrje të suksesshme të Programit të Ujësjellësave Ruralë III, me shtrirje në të gjithë vendin për rrjetin e furnizimit me ujë të pastër higjenikisht, pa ndërprerje dhe me tarifa ekonomike për konsumatoret, fillimi i zbatimit të Programi i Ujësjellësva Ruralë IV është një lajm i shkëlqyer për banorët e bashkive të Himarës & Orikumit dhe për zhvillimin e turizmit në këtë zonë të rivierës shqiptare.

Mbi 80,000 banorë dhe turistë do të përfitojnë nga furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë sipas standardeve higjeno-sanitare dhe nga ndërtimi i linjave të furnizimit me ujë, sistemeve të shpërndarjes, si dhe rezervuarëve e stacioneve të pompimit. Gjithashtu, ky projekt do të ketë një impakt pozitiv në mjedis falë ndërtimit të dy HEC-eve të vegjël në Himarë, duke kontribuar në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në kuadrin e programit, do të ndërtohen dhe rehabilitohen rrjetet dhe kolektorët e kanalizimeve të ujërave të ndotura në qytetin e Himarës dhe Orikum, ku do të trajtohen në një impiant të ri modern në veri të qytetit të Himarës, si dhe në atë ekzistues në Orikum. Kështu ujërat e kaltra të Jonit, do të jenë jo vetëm të bukura, por dhe të sigurta për turistët. Pushuesit në zonën e Himarës dhe Orikumit do të mund të shijojnë detin e pastër sipas standardeve të përcaktuara në Direktivën 2006/7 të BE-së.

Programi i Ujësjellësva Ruralë IV do të ndikojë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe shëndetit të banorëve dhe rritjen e turizmit në sajë të furnizimit me ujë të pijshëm, rritjes së prodhimit të energjisë së rinovueshme nëpërmjet ndërtimit të HEC-eve dhe pastrimit mekanik-biologjik të ujërave të ndotura.

Programi do të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Njësitë Vendore. Janë parashikuar konsultime publike me banorët rreth ndërhyrjeve që do të realizohen nga ky program me ndërmjetësimin e pushtetit vendor. Gjithashtu do të mbështetet zhvillimi i kapaciteteve vendore për operimin dhe mirëmbajten e sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura pas përfundimit të programit. Në këtë mënyrë do të garantohet një zhvillim i qendrueshëm i zonës dhe do të nxitet më tej zhvillimi i turizmit dhe ekonomisë, duke siguruar mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe mjedisit.

Programi me vlerë prej 45.15 mil. Euro, financuar nga KfW dhe WBIF do të zhvillohet në 4 Lote si vijon:

Loti 1: Bashkia Himarë – Furnizim me Ujë

  • Vepra e marrjes së ujit në burimin e Lepushës
  • Linja kryesore e transmetimit nga Lepusha në degëzimin e Himarës

Loti 2: Bashkia Himarë – Furnizim me Ujë

  • Ndërtimi i linjës kryesore deri në Kuç, Pilur, Kudhës, Himarë Fshat, Vuno, Livadh, Jalë, Borsh
  • Ndërtimi, zgjerimi i sistemeve të shpërndarjes në Himarë, Himarë Fshat, Vuno, Livadh, Jalë, Borsh, Qeparo
  • Prodhimi i energjisë në dy HEC-e të vegjel në Himarë

Loti 3: Bashkia Himarë & Orikum – Kanalizime Ujëra të Ndotura (KUN)

  • Rehabilitimi dhe shtrirja e sistemit të KUN Himarë
  • Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura (ITUN) me trajtim mekanik-biologjik
  • Shkarkuesit në det (pas trajtimit, larg bregut) në Himarë dhe Orikum

Loti 4: Bashkia Orikum – Furnizim me Ujë + Kanalizime Ujëra të Ndotura (KUN)

  • Ndërtimi i puseve, linjës së transmetimit, rrjetit të shpërndarjes, rezevuarëve, lidhjeve të shtëpive
  • Ndërtimi i kolektorit bregdetar, rrjetit KUN, stacioneve të pompimit dhe lidhjeve të shtëpive
  • Rehabilitimi/zgjerimi dhe vënia në funksion e impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura (ITUN)

Ky projekt përbën një investim serioz dhe të shumëpritur si nga banorët, ashtu dhe nga pushuesit, që prej 20 vitesh vuanin mungesën e investimeve në këtë sektor, dhe si rrjedhojë mungesën e ujit të pijshëm dhe të kanalizimeve. Falë këtij programi, i cili do të mbështesë zhvillimin e qendrueshëm në këto bashki do të arrihet mbulimi i furnizmit me ujë të pijshëm gjatë 24 orëve. Për herë të parë bregdeti i Himarës, do të ketë një pastërti të ujërave të detit sipas standardeve evropiane.