Berati është një qytet me rreth 65 000 banorë dhe çdo vit e më shumë po vihet re një rigjallërim i traditive më të mira të këtij qyteti, kundrejt vizitorëve gjithnjë e në rritje. Vendosur si një opsion për të mos u humbur në shumë guida turistike ndërkombëtare, vizitori do të gjejë në Berat një trashëgimi të rrallë nga e kaluara; një varg të gjatë e të pasur vlerash historike, kulturore, etnografike, arkitektonike e të besimeve, të tilla që përbëjnë një potencial të konsiderueshëm për turizmin. Kjo suportuar dhe nga shërbime mikëpritëse, kulinari e ndërthurur tradicionale me moderne, si dhe punime të veçanta artizanati. (gdhendje në dru qendistari, punime në argjend dhe në metale te tjera, punime në kashtë, gdhendje ne pllaka guri, punime dekorative me gur) Me burimet turistike të qytetit është e mundur që të zhvillohet turizmi familiar dhe ai i organizuar.

Këto premisa premtuese në një turizëm në zhvillim sjellin nevojën për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, si dhe lehtësimin e trafikut në zonën e mbrojtur nga UNESCO.

Qëllimi i ndërhyrjes në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit është vazhdimi i unazës së Beratit. Gjithashtu do të ndërtohet një rrugë e re nga kryqëzimi me rrugën “Santa Lucia” deri te bashkimi me rrugën “Antipatrea” në dalje të Uznovës. Lidhja e rrugës së re (Unaza e re) me shëtitoren “Osumi” do të fillojë rreth 150m nga kryqëzimi me rrugën “Santa Lucia” dhe pjesa prej 150m deri te kthesa vetëm do të rivishet (riasfaltohet) me një shtresë asfaltike të re dhe do të pajiset me sinjalistikë të re. Parametrat gjeometrike të rrugës janë në përputhje të plotë me PPV (Plani i Përgjithshëm Vendor) dhe kërkesat e bashkisë Berat. Rruga do të jetë me një karrexhatë me dy sense levizjeje, rrugë urbane me trotuarë nga të dy anët dhe korsi bicikletash nga njëra anë. Pjesë e projektit do të jetë dhe ndërtimi i një rruge lidhëse me lagjen “Uznovë” me gjatësi 600m.Gjithashtu dhe ndërtimi i dy rrugëve të aksesit (rrugë bujqësore) për zonat midis rrugës së re dhe lumit Berat. Një tjetër element i rëndësishëm në projekt do të jetë dhe ndërtimi i një ure me gjatësi 18m dhe një nënkalimi.

Lehtësimi i trafikut do të mundësohet si pasojë e devijitimit të trafikut ekzistues të rënduar në unazën perimetrale të qytetit, duke e spostuar lëvizjen e mjeteve larg qendrës së qytetit. Gjithashtu në Berat kalon rruga interurbane e vetme që lidh Çorovodën dhe Policanin në Lindje. Kjo në vazhdimësi ka sjellë një trafik të mbingarkuar në automjete të rënda që transportojnë materiale (pllaka guri) apo dhe mallra te tjera në shërbim të ekonomisë që përshkrojnë këtë segment rrugor. Aksi i projektuar do të funksionojë si unazë e qytetit dhe së bashku me zgjidhjen e elementëve gjeometrike dhe strukuturorë do të kenë një impakt pozitiv si nga pikëpamja funksionale ashtu edhe nga pikëpamja turistike.

Gjithashtu rruga gjatë orëve të natës do të jetë e ndriçuar, ndriçim i cili sigurohet nga rrjeti i ndriçimit rrugor të vendosur në trotuar. Në gjatësinë e rrugës do të ketë ndarëse metalike midis korsisë së automjeteve dhe trotuarit apo korsisë së biçikletave, për të penguar lëvizjen e pakontrolluar të njerëzve, si dhe për të ndërgjegjësuar drejtuesit e mjeteve që janë duke kaluar në një zone urbane.

Kjo rrugë do të përmbushë cilësitë më të larta përsa i përket:
• Sigurisë,
• Kapacitetit,
• Sjelljes së përdoruesve të rrugës
• Shpejtësisë së pranuar