Së bashku për parandalimin e rreziqeve!
Së bashku për parandalimin e rreziqeve!
Një ndër vlerat më të rëndësishme të FSHZH-së është zhvillimi i punimeve me kujdesin më të madh për Shëndetin dhe Sigurinë e stafit, partnerëve, kontraktorëve dhe personelit të tyre, si dhe për njerëzit e komuniteteve aty ku ne punojmë. Ne jemi të bindur në arritjen dhe mbajtjen e performancës “Zero Aksident”, si dhe të punojmë me palët e tjera për të promovuar efikasitetin e Sigurisë dhe Shëndetit gjatë gjithë vazhdueshmërisë së projekteve tona.
Referuar ligjit 10237 dt 18.02.2010, VKM 312 dt 16.03.2011 dhe stardardeve evropiane International Labour Law (ILO) si rregullatorë që përmes normave dhe dispozitave të caktuara synojnë të ofrojnë udhëzime mbi shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve. Zbatimi i tyre kërkon një angazhim aktiv si nga punëdhënësi dhe nga punëmarrësi, për të mos e marrë këtë proces si “një burokraci më tepër”, por si një investim në aftësi e njohuri jetike.
Secili prej nesh në përditshmërinë e tij gjatë punës mund të hasë rreziqe nga më të ndryshmet. Të përcaktuara në kategori, në varësi të shkakut si më poshtë vijojnë: 1) Rreziqe të sigurisë që lidhen me – pengesa/rrëzime/rënie. 2) Rreziqe Biologjike – bakteret/viruse, mbetjet/mbeturina të ndotura, kafshët 3) Rreziqet fizike – rrezatimi, moti, zhurmat e mëdha. 4) Rreziqet ergonomike- qëndrim/posturë të gabuara, ulje-ngritje të rënda, ambienti i punës/tavolina jo të mira. 5) Rreziqet kimike- likuide/lëngje të pa etikuara, substance te djegshme, gaz-ra të dëmshme. 6) Rreziqet e ngarkesës së punës – dhuna, stresi ,presioni konfrontimi, fleksibiliteti.
Ndërkohë punëdhënësit po ndërmarrin gjithnjë e më shumë hapa konkrete drejt sensibilizimit, me qëllim që siguria dhe shëndeti në punë të kthehet në kulturë personale të gjithësecilit. Krijimi dhe zbatimi i një strategjie parandaluese, ndaj risqeve në ambientin e punës synon të reduktojë ndjeshëm incidentet me pasojë dhe të zbusë problematikat gjatë proceseve të punës.
- Edukimi dhe trajnimi i menaxherëve dhe punëtorëve
- Vlerësimi dhe menaxhimi i rreziqeve
- Zbatimi i projekteve me përkushtim, në eliminimin dhe/ose zbutjen e efekteve në mjedisin, sigurinë dhe shëndetin e njerëzve.
- Përputhshmëria me ligjet e aplikueshme, rregulloret, kërkesat e kontratave në relacion me mbrojtjen e STSHP duke përfshirë të gjitha standardet e Planit Menaxhues të FSHZH.
- Konsultime të vazhdueshme me partnerët, qeverine, agjencitë qeveritare, komunitetet dhe kontraktuesit mbi çështjet e STSHP
- Zhvillimi dhe krijimi i parametrave të duhura për STSHP për të matur, dhe vazhdimisht promovuar performancën lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë.
Politikat e ndërmarra do të kenë në fokus jo vetëm punonjësit e FSHZH, por edhe punëmarrësit e kompanive të kontraktuara që punojnë për projektet që FSHZH zbaton për llogari të palëve financuese. Nga njëra anë kjo ndihmon në zhvillimin e një kulture pozitive të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe nga ana tjetër nxit motivimin e punonjësve.
Politikat e organizatës janë të standartizuara në përputhje me fokusin e aktivitetit dhe vlerat e FSHZH në nivel projekti dhe organizate, si dhe bazohen në standardet dhe praktikat më të mira të certifikuara nga organizata botërore si ILO, FIDIC, OHAS, etj.