Fushë Peshtan – Poliçan, drejt përfundimit investimi më i ri në përmirësimin e infrastrukturës vendore
Tiranë- Fushë Peshtani është njëri nga fshatrat e Poliçanit dhe është gjithashtu një nga fshatrat për të cilin bashkia ka paraqitur projektin, në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për “Krijimin e qendrave te fshatrave me sipërfaqe qëndrimi, pushimi, parkimi dhe lulishte” përmes rikonceptimit të hapësirave publike, përmirësimit të aksesit dhe të lëvizshmërisë, rivitalizimit të qendrave urbane, lëvizjen në formë shëtitje të qytetarëve të të gjitha grupmoshave në këtë zonë etj.
Më parë qendra e fshatit ka qenë një zonë totalisht e pazhvilluar, përsa i perket aktiviteteve sociale në mungesë të një “infrastrukture pritëse e rekreative” për banorët. Me mungesë gjithashtu të zonave të gjelbëruara, të dedikuara për shplodhje, të parkimit, si dhe ndriçim apo elementë të sigurisë rrugore për komunitetin.
Sot krijimi i qendrës së fshatit Fushë Peshtan pranë kantinës së verës, i ka dhënë këtij fshati një mundësi për zhvillimin e turizmit. Qëllimi i përgjithshëm ka sjellë rivitalizimin e tij, me implementimin e nje investimi të plotë dhe të besueshëm duke paraqitur mundësinë e krijimit të një qendre të re, si dhe duke shtuar një trotuar në krahun e djathtë të rrugës ekzistuese që lidh qendrën e këtij fshati me rrugën nacionale Berat- Skrapar.
Përmes këtij projekti promovohet kualiteti i një hapësire të përbashkët, të aksesueshme dhe estetike. Mundësi për të ruajtur dhe përditësuar vlerat e jetës sociale e kulturore si një pikëtakimi, që rrit frekuentimin dhe plotëson elementë kryesore të përditshmërisë së banorëve.