“Trajnim 5 ditor i Ndërmjetësuesëve të Inovacionit”
Tiranë- Në kuadër të projektit FILA “Forcimi dhe fuqizimi i rrjeteve ndërkufitare të inovacionit përmes Laboratorëve të Inovacionit të Fertilizimit në Agroushqim, për përmirësimin e lidhjeve ndërmjet fushës kërkimore dhe sipërmarrjeve” u organizua në Korçë një trajnim 5-ditor.
Qëllimi i aktivitetit ishte krijimi dhe trajnimi i një grupi Ndërmjetësuesish të Inovacionit për të përmirësuar aftësitë dhe kapacitetet e tyre teknike për krijimin e ndërmjetësimeve, si aktorë neutralë dhe të paanshëm në mbështetjen dhe përgjigjen ndaj nevojave të grupeve të ndryshme të interesit. Ndërmjetësuesit e Inovacionit do të shërbejnë si agjentë në çdo aspekt të procesit të inovacionit ndërmjet dy ose më shumë palëve, përmes lidhjes së aktorëve të ndryshëm të sistemit të inovacionit. Ata do të vendosin lidhje midis proceseve kërkimore dhe botës së sipërmarrjes, duke krijuar rrjete bashkëpunuese.
Në vijim, do të organizohet “Aksioni Pilot i Inkubacionit për NMVM-të / Start-upet e përzgjedhura nga fushat e bujqësisë dhe agropërpunimit në Laboratorin FILA Korçë”. Dhjetë Ndërmjetësues të trajnuar të Inovacionit do të punojnë për të identifikuar nevojat e NVM-ve dhe vendosur ata në kontakt me disa këshillues, bazuar në Modelin “Triple Helix”. Gjithashtu, do të ndihmojnë NVM-të në bashkëpunimin e tyre me këshilluesit për të implementuar zgjidhje inovative në bizneset e tyre.