Vijojnë investimet, suport ndaj turizmit!
Tiranë- Për në fshatin turistik Qerret do të gjeni pafund njoftime për dhoma plazhi me qera, struktura hotelerie të rinovuara e të reja. Ndër zonat më të preferuara gjatë sezonit të verës, nën cilësimet “pastër, qetë e me shërbime.” Kjo nënkupton fluks këmbësorësh, qarkullim automjetesh dhe domosdoshmëri për një infrastrukturë urbane që plotëson të gjithë kriteret bashkëkohore, për në zonat e banuara.
Aktualisht Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton punimet për objektin: “Sistemim – asfaltim i rrugës “Ismail Qemali” dhe kanaleve kulluese që shoqërojnë këtë rrugë, Rruga e re e Fshatrave Turistik”. Për këtë të fundit ka përfunduar hedhja e shtresës së binderit dhe ritmet vazhdojnë të jenë të mira gjatë gjithë proceseve.
Gjithashtu investimi do të përmirësojë ndjeshëm trafikun, pasi parashikon lehtësimin e qarkullimit përgjatë aksit që lidh “Fshatin Turistik Qerret me Shëtitoren Mak-Albania”, si dhe të mundësojë lidhjen e automjeteve nga rruga kryesore (autostrada Durrës-Rrogozhinë) me fshatrat turistike.
Me financim të Qeverisë Shqiptare, duke ndjekur në mënyrë rigoroze projektin dhe planet urbanistike, ndërhyrja do të sjellë një rritje të cilësisë së jetesës dhe të ardhura të larta për bizneset lokale.