Tiranë- Lokaliteti i Vermoshit ndodhet në skajin më verior të vendit, në kuotën 1200 m mbi nivelin e detit, në njësinë administrative të Kelmendit. Ai ndodhet brenda kufirit të Parkut të Alpeve dhe për shkak të vendosjes gjeografike cilësohet dhe si zonë hyrëse, për lëvizjet turistike me Malin e Zi.

Aktualisht në këtë lokalitet nga FSHZH është në zbatim e sipër, ndërhyrja për ndërtimin e qendrës së turizmit. Struktura do të përfshijë akomodim, informacion me synim pritjen e vizitorëve dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Gjithashtu do të kryhet mbrojtja e bankinave lumore, pranë lumit me të njëjtin emër, ndërtimi rruge aksesi dhe vendosje e elementëve të mobilimit urban.

Zonë e cila njihet për vlera të larta mjedisore dhe ndërhyrjet duhet të jenë të mirëorientuara në ruajtjen e pasurive ekzistuese.

Shtigjet natyrore e lidhin me shumë lokalitete të tjera, të cilët mund të përshkohen në një distancë të shkurtër, duke e kthyer në një atraksion turistik përgjatë gjithë vitit.

Do të gjeni peizazhe të paprekur nga dora e njeriut, fshatra tradicionalë e objekte banimi me arkitekturë tipike, si dhe monumente të trashegimisë kulturore e historike, të gjithë këto elementë për tu eksploruar gjatë shëtitjeve tuaja.