Rikonstruktuar për të rezistuar…

Në më pak se një orë dhe  vetëm 6 km nga Shkodra ndodhet fshati Shirokë. Nën hijen e malit të Taraboshit dhe buzë liqenit, fshati i hershëm i peshkatarëve mahnit me pamjen e tij.  Gojëdhënat rrëfejnë se në Shkodër “ka rënë shprehja, fryn n’Shirokë”. Çka do të thotë se fryn një erë e lehtë nga jugu, prej nga mendohet se ka marrë dhe emrin fshati.

Teksa mbërrin me makinë mund të ndalosh pranë pedonales së rikonstruktuar rishtazi. Me siguri do të marrë vëmendjen  mozaiku i shtruar me motive të qilimit, një ftesë për të hyrë në traditën e zonës. Në fakt për banorët dhe vizitorët pedonalja është qendra, sepse të gjitha  rrugicat e shtëpive të nxjerrin aty. E shtëpitë janë të vendosura lart, një kurorë shkodrane e banorëve besnikë. Hapësira e paqtë e krijuar buzë liqenit të Shkodrës, garant për një fundjavë të bukur ka bërë që biznese nga më të ndryshme të mblidhen pranë.

Me durim gur pas guri, mjeshtrat e kalldrëmeve kanë shtruar  20.000 m2 hapësirë, ku janë përshtatur elemente komodë si: dekorim me gurë e dru, sistem ndriçimi dhe mobilim urban, si dhe gjelbërim e sinjalistikë. Gjithashtu në mbrojtje të identitetit të zonës janë restauruar 2,000 m2 fasada të godinave pranë sheshit. Duke plotësuar kështu tablonë e plotë të një qyteze, shumë mirë të krahasueshme me simotrat e saj evropiane.

Në mesin e kësaj hapësirë një banor na rrëfen me nostalgji historinë e Shirokës. Prej peshkimit e bimëve medicinale me humor tregon se falë Shirokës, nuk ka shkodran që të paktën një herë në javë nuk ha peshk. Thotë se  se vjen përditë  në pedonale “çmpin këmbët” teksa bën shëtitje shpesh për disa ore. Ndërhyrjet janë të duhurat, pa e dëmtuar. Ndihem shumë mirë dhe dal përditë buzë ujit. Drejt të rrëfej, më shumë kohë kaloj duke ecur se ulur këtu në stol, të sfidoj moshën.(Banor i Zonës)

Ndërkohë nëse ngjitesh më lart, të tjerë banorë rrëfejnë dhe për një atraksion turistik si Vila e Ahmet Zogut, 1930.

Në mbrëmje, nëse ngjitesh këtu pamja e Shirokës është kartolinë. Dritat janë vendosur në të gjithë vijën, kështu që bizneset dhe shëtitjet vazhdojnë deri vonë. Vijnë shumë turistë këtu lart, vizitojnë dhe kishën. Pastaj në zbritje duan të provojnë gatime tradicionale. Janë shumë të interesuar për historinë e të kënaqur me shërbimet(Banor i Zonës)

Rikonstruksioni i sheshit të Shirokës është një investim që në të ardhmen pritet të integrohet dhe me projektin “Për Rikualifikimin e Bregut Perëndimor të liqenit të Shkodrës”. Tashmë qyteza e vogël, rikonstruktuar për të rezistuar gjatë është kthyer në një pikë turistike nga më të pëlqyerat. Për të rinjtë 6 km me biçikletë është distancë e afërt për tu shkëputur pak nga qyteti.