Vrojtimi i vizitorëve në produktet turistike ekzistuese
Turizmi gjatë viteve të fundit është kthyer në një nga platformat më të rëndësishme në rritjen e ekonomisë kombëtare.
Shqipëria është tashmë në vëmendjen e shumë operatorëve turistikë ndërkombëtarë, si një destinacion që ofron një eksperiencë të pasur në natyrë, kulturë e traditë.
Iniciativat turistike në vendin tonë synojnë gjithnjë e më shumë të plotësojnë kërkesat e turistëve vendas dhe të huaj. Kjo përmes rritjes së shërbimeve në vizitat kulturore, aktivitete për kohën e lirë, kulinari dhe akomodim. Duke mundësuar vende të reja pune, fillimisht në lokalitet e rredhimisht në gjenerimin e të ardhurave në nivel kombëtar dhe zhvillim social.
Nga veriu në jug, secila nga trevat mbron identitetin e saj edhe në ofertë duke nxitur kuriozitetin e vizitorëve në eksplorim.
Në këtë kuadër Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (QSHKE), realizoi një vrojtim të turistëve në 9 zona në të cilat po zbatohet Projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik (PZHIUT), nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Këtë vit, vrojtimi u krye nga data 1-15 gusht në 4 zonat urbane: Saranda, Berati, Përmeti dhe Gjirokastra, si dhe në zonat turistike: Syri i kaltër, Porto Palermo, Zvërnec, Orik dhe Benjë.
Për cilësimin e gjetjeve kryesore të studimit sasior dhe cilësor për vitin 2019, janë përdorur si bazë krahasuese rezultatet e vitit 2018 dhe 2016, ndër të cilat mund të veçojmë:
3 në 4 turistë janë ndërkombëtarë, ku 90 % vijnë nga Europa (kryesisht Francë, Itali, Gjermani) dhe 10 % e tyre vijnë nga Kanadaja, Amerika, Azia dhe Australia.
Është rritur ndjeshëm (39.5 %) numri i turistëve që qëndrojnë për një afat ditor 4-7 ditë, krahasuar me vitet 2018 dhe 2016.
90.6 % e turistëve vizitonin Shqipërinë në mënyrë të pavarur kundrejt 9.4 % e turistëve që ishin pjesë e paketave turistike.
Nivelet më të larta të kënaqësisë rezultojnë për aktivitetet e eksplorimit të parqeve natyrore, kishat dhe gastronomia vendase.
Ka patur një rritje të kënaqësisë ndaj cilësisë së shërbimit (nga vlerësimi mesatar 2.86 në 3.1) në pikat hyrëse në Shqipëri, krahasuar me vitin 2018.
Në 2019-ën, turistët kanë shpenzuar mesatarisht 47 Euro/ditë.
Sa i përket numërimit të turistëve në 9 zonat ku është zhvilluar vrojtimi, rezulton se fluksin më të madh e kanë zonat bregdetare, duke konsideruar edhe periudhën gjatë realizimit të vrojtimit (muaji Gusht). Saranda dhe Berati janë destinacionet turistike me numrin më të madh të bizneseve, krahasuar me destinacionet e tjera.
Qëllimi i vrojtimit është se si vizitorët perceptojnë produktet ekzistuese të turizmit në qendrat urbane ku po zbatohet PZHIUT. Duke siguruar kështu të dhëna të dobishme për marketimin e destinacionit në vitet e ardhshme.