Tiranë- Ujrat termale të Bënjës dhe kanionet e Langaricës kanë tërhequr gjithmonë turistë vendas dhe të huaj, veçanërisht vitet e fundit. Kërkesa e shtuar për t’i vizituar ka nxitur krijimin e sipërmarrjeve private për organizimin e tureve drejt secilit prej destinacioneve. Pavarësisht numrit në rritje të vizitorëve, koha e qëndrimit të turistëve dhe shërbimet e ofruara mbeten të kufizuara. Dhe dihet që kur turistët nuk shpenzojnë kohë në një destinacion edhe shpenzimi i parave është i ulët.

Ujrat termale të Bënjës ndodhen shumë pranë Parkut Kombëtar “Bredhi i Hotovës”. Vaskat janë atraksioni kryesor, por jo i vetëm i zonës. Aty gjendet edhe ura e Kadiut dhe kanioni i Langaricës, shpella natyrore dhe atraksione të tjera që mbeten pak ose aspak të shfrytëzuara.

Për të ofruar një vizion të ri mbi përmirësimin e ujrave termale të Bënjës, lidhjen e atraksioneve me njëra – tjetrën dhe integrimin e tyre me pjesën tjetër të parkut Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka kontraktuar një kompani për projektimin e një koncepti tërësor me ide për investime që do ta kthenin këtë park në një destinacion të mirëmenaxhuar, që ofron aktivitete të ndryshme dhe ku turistët grishen për të kaluar më shumë se një ditë.

Ndërhyrjet për përmirësimin e këtij siti turistik po planifikohen në kuadër të komponentit të dytë të programit “Për Zhvillimin e Intergruar Urban dhe Turizmin” që financohet nga Qeveria Shqiptare dhe Banka Botërore dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

(Më shumë mbi programin mund të lexoni këtu: https://www.albaniandf.org/projekte/projekte-ne-zbatim/projekti-per-zhvillim-te-integruar-urban-dhe-turistik-pzhiut)

Pjesë e aktivitetit për prezantimin e këtij koncepti dhe diskutimin e tij ishin edhe aktorë të interesit lokalë si bashkitë Përmet dhe Gjirokastër, drejtoritë rajonale të zonave të mbrojtura dhe drejtoritë rajonale të monumenteve të kulturës. Po ashtu pjesëmarrës aktivë në diskutime ishin edhe përfaqësues të institucioneve qendrore si Ministria e Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Instituti i Monumenteve të Kulturës, eskpertë të turizmit, mjedisit, etj.

Koncepti parashtron ndërhyrje për zhvillimin e shërbimeve, hapësirave për parkingje makinash dhe kamperash, zona kampingu, ndërtimin e infrastrukturës lehtësuese të aksesit në monumentet natyrore dhe kulturore, sinjalistikë orientuese, lidhje me pjesën tjetër të parkut,etj. Gjithçka në funksion të shfrytëzimit të plotë të parkut nga vizitorët dhe njëkohësisht të krijimit të perspektivave për zhvillimin e agro-turizmit në fshatrat e afërt.

Janë dy itinerarë kryesorë që parashikohet të krijohen dhe përgjatë të cilëve do të skaliten aktivitete të ndryshme për turistin. Sipas konceptit të propozuar ujrat termale të Bënjës mund të kthehen në një portë hyrëse të Parkut “Bredhi i Hotovës”. Pas pikës hyrëse propozohet të ndërtohen struktura shërbimesh si biletari, pika informimi, parkingje, dhoma zhveshjesh e tualete, etj., që për momentin mungojnë tërësisht. Për të lehtësuar aksesin te vaskat me ujrave termale apo te shpellat natyrore e pikat panoramike koncepti propozon ndërhyrje me shtigje druri dhe ndërtimin e tarracave të pushimit përgjatë itinerarëve që çojnë në drejtim të parkut. Sinjalistika orientuese është një tjetër element që merr vëmendje në koncept. Sinjalistika jo vetëm do të orientojë, por edhe do të ndërgjegjësojë turistët e vizitorët që të kujdesen për parkun dhe ta ruajnë atë.

Gjatë diskutimeve mbi konceptin, aktorët e interesit kërkuan që ndërhyrjet të jenë minimaliste dhe në funksion të krijimit të lehtësirave për vizitorët. Po ashtu ata kërkuan që për hartimin e projektit të zbatimit të merren edhe fenomenet natyrore në stinë të ndryshme të vitit. Nga ana tjetër, të gjithë vlerësuan se këto ndërhyrje janë të domosdoshme për një dimension të ri zhvillimi të parkut dhe ujrave termale të Bënjës, ku vizitorët vijnë jo vetëm për ujrat termalë, por edhe për ecje në natyrë, aktivitete në lumë, vizita në monumentet natyrorë, etj.

Koncepti për zgjerimin e aktiviteteve që do u ofrohen turistëve që vizitojnë ujrat termale të Bënjës synon t’i bëjë ata të rrinë më gjatë në zonë. Kjo shihet nga aktorët lokalë si një mundësi shumë e mirë për zhvillimin e agro-turizmit në fshatrat përreth, veçanërisht në Bënjë.

Koncepti i propozuar do të reflektojë komentet e bëra nga aktorët e interesit dhe pas miratimit do të fillohet me fazën e radhës që është hartimi i projektit të zbatimit.

Cover photo, courtesy of Into Albania