Siguria në punë – Ndihma e parë bën diferencën
Tiranë- Ndihma e shpejtë në situatën e një aksidenti mund të shpëtojë jetë. Por jo vetëm kaq. Ndihma e shpejtë dhe mënyra sesi trajtohet një i aksidentuar është përcaktuese edhe për kohën e rekuperimit. Nëse është dhënë në mënyrën e duhur mund të shkurtojë kohën e shërimit dhe nëse jo mund të shkaktojë edhe më shumë dëm.
Për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e dhënies së ndihmës së shpejtë, por edhe për të rritur kapacitetet e stafit në menaxhimin e situatave të tilla, Fondi Shqiptar i Zhvillimit në bashkëpunim me Kryqin e Kuq zhvilluan një trajnim dy-ditor. Trajnimi kombinoi teorinë me ushtrime praktike për menaxhimin e situatave të aksidenteve dhe ndërhyrjeve të sakta në dhënien e ndihmës së shpejtë.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka kthyer sigurinë dhe shëndetin në punë në një kauzë të vetën. Ka një vëmendje të shtuar për krijimin e një kulture organizative që garanton parandalimin e lëndimit të punëmarrësve për shkak të ambientit në punë. Në fokus janë jo vetëm punonjësit e FSHZH, por edhe punëmarrësit e kompanive të kontraktuara që punojnë për projektet që FSHZH zbaton për llogari të palëve financuese. Gjatë muajit të fundit specilistët e FSHZH kanë vizituar 15 kantiere të veriut ku kanë vëzhguar zbatimin e rregullave të sigurimit teknik dhe kanë sensibilizuar mbi rëndësinë e zbatimit të tyre. Përgjigja ka qenë mjaft pozitive dhe në të gjitha vizitat e përsëritura është vërejtur përmirësim i dukshëm i përdorimit të sinjalistikës paralajmëruese, veshjeve mbrojtëse dhe masave të tjera të sigurisë.