Deri dje kati i parë ishte për lumin, i dyti për familjen!
Tiranë- Teksa hyn në banesat në Fushë-Krujë nuk është vështirë të dallosh vijën në mur, që tregon se deri ku ka arritur niveli i ujit të lumit Zezë, herën e fundit.Afrohesh për të dëshmuar se vija arrin deri në nivelin e qafës së një njeriu me gjatësi mesatare dhe kupton se rrëfimi i z. Hysen, kur uji i kishte shkulur ambazhurin lart të dhomës, qëndron. Shtëpia e tij ndodhet në të ashtuaqujturën zonën e shinave, buzë shtratit të lumit. Deri dje ngushtësia e një kthese më poshtë gjatë vijës së lumit, e papastruar kishte krijuar një barrierë kokëforte” me plastika, e cila herën e fundit ja kishte mbuluar bacen me lluce.
Por ai tregon se në 2011, nuk kishin patur kaq fat dhe uji nuk kishte ndaluar në baçe. Moti nuk kishte favorizuar aspak dhe daljet nga banesa ishin bërë më fadroma. “Kemi pa vdekjen me sy. E beson dot?! Kam nxjerrë 9 njerëz prej këtëj me fadroma. Ka arritur situata jemi përmbytur dy herë në vit. Se për dëm material mos i hyjmë muhabetit fare, por flitet për jetë njerëzish.”
Sot, i përfshirë më shumë se kurrë në projektin që po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me financim të Qeverisë Shqiptare, për rikonstruksionin e plotë të Urës së Zezës në Fushë Krujë, si pjesë e projektit për sistemin e lumit të Zezës, personalisht ai shoqëron përditë inxhinierët, që po merren me zgjerimin e shtratit, poshtë murit të shtëpisë së tij.
Dhe nuk është i vetmi. Mamaja e tij, zonja Zelfie na rrëfen: “Ngeli duke u na përmbyt malli dhe lagështi gjithandej. Herën e fundit që na nxorën më çuan te shtëpia e çunit tjetër, që e ka pak më lart e nuk kishte futur ujë. Lumi këtu ka qenë dhe më përpara o nën, po kanë ardhur e i kanë bërë shtëpijat ngjit më ngjit e ja tani. Shyqyr kanë ardhur këta çunat, e po punojnë. Avash avash e janë duke e zgjidhur”. Dhe Hyseni është shpresëplotë dhe na thotë, “ra stuhia para dy ditësh, skam ujë në shtëpi tani”. Ai e kupton shumë mirë që kjo nuk është rastësi, vetëm për këtë vit.
Në një hapësirë prej 5 km ndërhyrjeje janë 1800 familje, të cilat kanë kaluar situata të ngjashme, më të vështirat sidomos nga muajt Tetor-Maj.Në këtë pikë teknikët e projektit A.Loshi dhe A. Marku pas shinave, na shoqërojnë fillimisht në Arrameras.
Aty vazhdojnë gërmimet dhe zgjerimet e shtratit deri në autostradë në një vijë prej 4 km, ku në anën e majtë të tij, më parë ishin përmbytur dhe tokat bujqësore. Duke iu afruar urës së re mund të shohësh se po kryhen punimet për mbrojtjen lumore, në të dy anët e lumit. Aty ishin vendosur gabionet dhe muret mbrojtëse. Dhe gjatë këtyre kilometrave deri në qendër vazhdonte puna e makinerive dhe eskavatorëve, për zgjerimin e shtratit.Vetë punëtorët dukej se kishin një detyrim moral me vendasit, për të ndërprerë këtu zinxhirin e përmbytjeve, sepse kishin parë vetë situatën dhe katastrofat e gjithsecilit.
Deri dje në vend të mureve mbrojtëse dhe ndërhyrjeve inxhinierike, banorët kishin vendosur goma dhe thasë me rërë, përpjekje nga e cila nuk prisnin mrekullinë, por ndjenin se duhet të bënin çdo gjë të mundnin.E gjithë skuadra e projektit po kujdeset për çdo centimetër veprimi, pasi banorët edhe pse fillimisht janë skeptikë, dalin herë pas herë nga oborret dhe pyesin për detaje të ndryshme nga projekti.
Këtë pjesë e kanë të qartë, se nuk po ndërtohet thjesht një urë në qendër, por mbikëqyrja në kuota dhe ndërtime gjatë gjithë rrjedhës së lumit Zezë.
Ndërkohë tek tregu i qytetit, i cili është punë 2-3 metrash larg nga shtrati i lumit në qendër, një djalë i ri që zotëron një biznes veshjesh thotë se: “po bëhët punë e mirë, tani xhinset e xhupat se janë dhe materiali që ske çi bën, nuk i ngjisim më sipër. Nga stuhia e fundit spatëm më asnjë problem. Me zotin nuk do hahemi. Veç vazhdoni e përfundojeni”.
Një pjesë prej tyre, vazhdojnë dhe janë skeptikë, por kjo mirëkuptohet dhe për shkak të një të kaluare të vështirë, traumatike siç e përshkruajnë disa, e me fjalë boshe në vend të zgjidhjes, ndër vite. Tani një pjesë e banorëve, të cilët i kishin vënë drynin shtëpive të pabanueshme, po rikthehen aty ti rregullojnë sërish. I gjen duke rinovuar dyert e jashtme deri tek çatitë, sepse pavarësisht “kapriçove atmosferike”, punimet po tregojnë se lumi po ndjek rrjedhën e vetë pa u ngritur më në lartësi drejt shtëpive.