“Kanë kaluar 12 vjet qe kur kam  ardhur në Pukë dhe mora përsipër të investoj. Isha i paragjykuar shumë sidomos nga shoqëria – ç’do ky në Pukë, është i luajtur mendsh!  Por jam krenar për këtë!”

Këtë moment rrëfen Xhimi Begeja, sipërmarrës tashmë prej më shumë se një dekade në qytezën alpine.

Këtë vit ka nisur dhe është drejt përfundimit faza e dytë e ndërhyrjeve për rikualifikimin urban të Pukës. Me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës, Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton ndërhyrjet në rrugëve lidhëse të spitalit, kapotimin e fasadave të objekteve pranë shesheve, forcimin e mbrojtjes së liqenit të vogël, si dhe ndërhyrje plotësuese në parkun pranë ish-Hotel Turizmit.

“Kemi bërë hapa para përsa i përket rritjes së numrit të vizitorëve, veçanërisht vitin e fundit. Tani sfida është si t’i mbajmë njerëzit këtu. Në Pukë një natë është pak, dy janë shumë,” thotë Xhimi Begeja me humor.

Puka e qetë pavarësisht marketingut modest ofron shumë.  Nuk ka maja të thepisura, por me relievin e ëmbël dhe masivin e pishave fton për të kaluar së bashku me familjen për të kaluar disa ditë relaksi.

 

Zbulo Pukën me “patriotët” e turizmit

“Mos pyet çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por çfarë mund të bësh ti për vendin tënd”, shprehja e famshme e John F. Kennedy në ceremoninë e inaugurimit si Presidenti i 35-të i Shteteve të Bashkuara më 20 Janar, 1961 duhet të ketë qenë një frymëzim për Vullnet Kuçin dhe miqtë e tij kur vendosën të bënin diçka për të promovuar bukuritë e vendlindjes së tyre.

“Nisi nga bisedat që bënim herë pas here mbi bukuritë e Pukës dhe faktin që për shumë vite ishte lënë në harresë. Na dukej e pabesueshme që të tjerët nuk shikonin atë që shikonim ne: mundësi të panumërta për të zhvilluar turizmin natyror, sportiv, por edhe shëndetësor. Kështu që vendosëm ta prezantojmë Pukën te të tjerët siç e shikonim dhe e jetonim ne çdo ditë,” thotë Vullneti.

Bashkë me Enklajdin dhe Emiljanin vendosën të ndërtonin një faqe interneti për të promovuar bukuritë e Pukës. Ishte viti 2016 dhe të gjithë ishin me studime në Tiranë. Meqënëse shumë pak nga shoqëria e universitetit e njihte Pukën, vendosën ta quanin faqen: Discover Puka. Si një ftesë drejtuar gjithkujt për të zbuluar një vend që dikur ishte vendi i preferuar për verim i familjeve të mëdha të veriut, por që me kalimin e viteve ishte lënë pas dore. Kjo e fundit po kthehet në një agjenci të mirëfilltë që ofron paketa të ndryshme për turistët që dëshirojnë të vizitojnë këtë anë të veriut. Tri djemve që e themeluan iu bashkuan edhe Xhovana dhe Jonida. Diku me para të kursyera dhe diku me mbështetje nga biznesi lokal kanë identifikuar 5 shtigje, i kanë shenjuar me bojë dhe i kanë hedhur në një aplikacion që mund të përdoret lehtësisht.

Një shtytje për të bërë diçka ishin edhe investimet që kishin filluar të merrnin jetë për rivitalizimin urban të qendrës së qytezës dhe liqenit të vogël. “Puka ishte lënë pas dore për shumë vite. Natyra dhe ajri i pastër nuk mjafton për një turist, nëse i duhet të kalojë nëpër rrugë ku nuk është vënë dorë prej vitesh apo të shëtisë në mjedise ku ka mbeturina”.

Investimet e ndërmarra në 4 vitet e fundit në Pukë me financim të qeverisë shqiptare dhe Bankës së Këshillit të Europës e kanë transformuar atë në mënyrë rrënjësore. Ndërhyrjet urbane te liqeni i vogël, te sheshet para ish-Hotel Turizmit dhe para Bashkisë, krijimi i pedonales u kombinuan me ndërhyrje të kryera më herët për ndërtimin e rrugëve rurale në Qelëz, Fushë-Arrëz, Iballë, etj. Janë të paktën 10 projekte, të cilat kanë patur si qëllim zhvillimin e zonave rurale dhe lidhjen e tyre me destinacione turistike dhe qytetet kufitare. Mund të shkosh në Pukë nga Tirana nëpërmjet Vaut të Dejës në Shkodër, por edhe nëpërmjet Rrugës së Kombit nëpërmjet aksit Fushë  Arrëz – Reps, që ka përfunduar dy vite më parë.

Vullneti tregon se nuk ka pasur shumë besim kur ka parë projektin prezantuar për rikualifikimin urban të qytezës. “Mendova që po bëhet diçka e mirë, por nuk i besova që do të bëheshin 100%. Pastaj gradualisht filloi puna te liqeni i vogël, që vetëm liqen nuk ishte, te sheshi përballë ish-Hotel Turizmit, në fasadat dhe çatitë e ndërtesave e keshtu me radhë. “Vetëm paratë që u kursehen qytetarëve çdo vit për ngrohjen pas rikonstruksionit të çative dhe fasadave mjaftojnë për të thënë që ky investim ishte domosdoshëm. Pa llogaritur këtu faktin që çdo vit numri i turistëve dhe vizitorëve shtohet,” thotë Vullneti.

Përveç turistëve shqiptarë, grupet që shoqërojnë janë të përbërë edhe nga turistë gjermanë , francezë dhe polakë. Këta ta fundit preferojnë ngjitjet në Malin e Tërbunit dhe atë Munellës, vizitat në fshatin Qelëz dhe eksplorimin në liqenin e Komanit.

”Vjet në Shqipëri ka patur 15-20 mijë turistë francezë. Dhe ne që tani, kemi sërish prenotime për vitin tjetër, familje që do ti presim këtu në Pukë. Merr shembull këtu/ Thana është një produkt që nuk ekziston fare në Francë, është shumë e rëndësishme kjo. Zonat e europës nuk e njohin fare, keni mundësinë të prezantoni gjëra unike. Apo glikotë janë super i blejnë dhe për dhurata kur kthehen në vendin e tyre”, thotë Berenger Tibbot, konsulent turistik në një intervistë të para disa muajve për një nga mediat kombëtare. Prej disa vitesh ai sjell turistë francezë të vizitojnë Pukën dhe zonat përreth.

 

“Nga kuzhina e shtëpisë, në fabrikat e prodhimit”

Së bashku me familjen apo një grup miqsh mund të ngjitesh në kodër dhe do kuptosh që Pukën mund ta cilësosh si “fabrikën e porcinit”.

Përveç kërpudhave dhe llojeve të tyre të ndryshme, sipas sezonit në të cilin mblidhen do të gjesh boronicë, thana, manaferra apo gështenja, të cilat mund ti mbledhësh vetë për ti konsumuar aty. Ose në kthim mund t’ua dhurosh miqve, me krenarinë e ngjitjes në kodër ose ecjes në pyll, duke u thënë – “dhe mos thoni që nuk u lodha për t’ju sjellë gjëra të veçanta”.

Zonjat e qytetit kanë kohë që po merren me këtë punë, duke ja ditur rëndësinë. Fillimisht nga shtëpitë dhe tani për kompanitë që merren me agropërpunim. Këto të fundit jo vetëm i mbledhin por mësojnë nga tradita dhe dijet e zonjave në Pukë. Ato prej kohësh dinë sekretin e reçelëve me shije fantastike: nga masa e sheqerit deri te koha e përgatitjes.

Kemi nisur fillimisht nga grupe të vogla, nga tradita më shumë në kushte të vogla familjare, nga investimet tani grupet janë organizuar. Ka dhe laboratorë tani. Ne më shumë jemi të përfshira në prodhim ku secila nga zonat, prodhon një reçel të caktuar si psh reçel boronice, reçel kumbulle, etj. Tashmë jo në enë plastike, kemi filluar në qelq se është më e sigurt dhe ruhet më shumë për qytetarin.” – tregon njëra prej zonjave.

Projekte të tjera po bëhen gati për Pukën që krahas atraksioneve natyrore dhe aktiviteteve si hiking apo trekking, qyteza të kthehet në një destinacion ku turisti qëndron, shijon dhe largohet për t’u kthyer sërish.