Infrastrukturë miqësore me mjedisin për zhvillim të qëndrueshëm
Tiranë- Harmonizimi i nevojave për zhvillim me nevojën për mbrojtjen e mjedisit paraqesin një sfidë globale për nga fusha e veprimit dhe kompleksiteti. Shpesh herë kërkesat për investime në projekte madhore zhvillimi, veçanërisht në infrastrukturë dhe urbanizim bien ndesh me domosdoshmërinë e ruajtjes së mjedisit sidomos në kushtet e ndryshimeve klimatike.
Studimi i impaktit mjedisor dhe social të projekteve është një fazë e rëndësishme e programeve të zhvillimit që Fondi Shqiptar i Zhvillimit zbaton për llogari të partnerëve financues si qeveria shqiptare, Banka Botërore, Banka e Këshillit të Europës, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, etj.
Vitet e fundit, komponenti mjedisor është kthyer në pjesë të pandarë të çdo projekti me qëllim që minimizohet impakti negativ në mjedis sa më shumë të jetë e mundur dhe investimi të jetë i qëndrueshëm. Në rastet kur FSHZH është autoriteti porositës i një projekti, mjedisi është komponent primar. Pjesë e politikës mjedisore të FSHZH-së është që bimësia të mos pritet por të zhvendoset kur ndërhyrja parashikon zgjerim të trupit të rrugës. Për rrugët e reja që kalojnë në sipërfaqe pyjore është e përcaktuar që për çdo pemë të prerë të bëhet ripyllëzim duke mbjellë 3 pemë. Për projektet infrastrukturore që FSHZH merr për zbatim nga autoritete të tjera, nëse gjelbërimi nuk është parashikuar, FSHZH bën korrigjimin e projektit duke shtuar gjelbërimin brenda buxhetit fillestar. Bimësia dekorative e kultivuar dhe mbarëvajtja ndiqet nga FSHZH edhe gjatë periudhës së garancisë deri në dorëzimin përfundimtar të projektit.
Përveç politikave në mbrojtje të mjedisit që janë ndjekur deri tani, Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punon për të sjellë risi të tjera në këtë drejtim duke u bazuar në praktikat dhe modelet e vendeve të zhvilluara. Disa nga këto risi që janë ende në fazë hartimi kanë të bëjnë me minimizimin e ndotjes së ajrit dhe ndotjes akustike në çdo kantier ku kryhen punime. Zëvendësimi i mureve mbajtëse me gabion me mure terrameshi që lejon rigjenerimin e bimësisë natyrale është një alternativë që FSHZH planifikon në të ardhmen me qëllim që pjesët anësore të rrugëve të mund të gjelbërohen. Rrjetat metalike që përdoren për të mbrojtur skarpatet, të zëvendësohen me rrjeta ekologjike dhe hidrombjellje në skarpate. Në çdo projekt ku parashikohet gjelbërimi, të mbillen pemë të egra frutore që janë bazike për faunën e egër të zonës ku bëhet ndërhyrja. Parashikimi që në fazën e projektimit të rrugëve ekologjike për kafshët, si dhe shtimi i sinjalistikës rrugore në zonat e mbrojtura me elementë që paralajmërojnë për llojet e kafshëve që popullojnë këtë zonë.
Këto elementë, së bashku me një seri trajnimesh për stafet e bashkive, supervizorëve dhe kontraktorëve synojnë që të kthejnë gjithmonë e më shumë mjedisin në fokus të çdo ndërhyrjeje, si një hap i vogël, por i qëndrueshëm drejt tejkalimit të sfidës komplekse të zhvillimit të qëndrueshëm.