Takimi Konsultues për Krijimin e Markës ADRION 5 SENSES në Turizëm dhe Identifikimin e Nevojave për Trajnim në Rajonin e Alpeve Shqiptare, në kuadër të projektit ADRION 5 SENSES
Tiranë- Fondi Shqiptar i Zhvillimit vijon zbatimin e projektit ADRION 5 SENSES me tematikë “Krijimi i emrit tregtar ADRION në turizëm: Nxitja e të pesë shqisave”. Në vijim të implementimit të aktiviteteve të parashikuara në projekt u organizua në ambjentet e Zyrës Rajonale Shkodër, Takimi Konsultues për Krijimin e Markës ADRION 5 SENSES në Turizëm dhe Identifikimin e Nevojave për Trajnim në Rajonin e Alpeve Shqiptare.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga institucione publike, biznese që operojnë në sektorin e turizmit në Alpet Shqiptare, universitete, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët u njohën më në detaje me projektin dhe qasjet e mundshme për strategjinë e brandimit.
Për të mbledhur sa më mirë opinionet dhe inputin e grupeve lokale të interesit, u realizua dhe pyetësori për krijimin e markës ADRION 5 SENSES dhe identifikimin e nevojave për trajnim në rajonin e Alpeve Shqiptare. Duke marrë shkas nga disa prej pyetjeve të hapura, u vijua me organizimin e diskutimeve të hapura. Gjithashtu, u realizuan disa intervista me ofrues shërbimesh në zonë për të kuptuar më mirë kontekstin lokal dhe për ta reflektuar si në krijimin e markës dhe në raportin e nevojave të identifikuara për trajnim.Ky takim konsultues do të mundësojë ngritjen e markës ndërkombëtare ADRION 5 SENSES në turizëm duke reflektuar dhe në përputhje me vizionin lokal. Gjithashtu, në vijim të identifikimit të nevojave për trajnim po punohet për hartimin e moduleve të trajnimit dhe realizimin e trajnimeve për sektorin privat në rajonin e Alpeve Shqiptare.