Projekti 4Helix+ financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet programit Interreg Med. Fondi Shqiptar i Zhvillimit përfaqëson Shqipërinë. Objektivi kryesor është ngritja e kapaciteteve dhe financimi i ideve dhe qasjeve novatore në sektorin e ekonomisë detare të Mesdheut, që vlerësohet si një nxitës ekonomik dhe një gjenerator punësimi.

TIRANË – Gjashtë biznese të vogla shqiptare janë përzgjedhur fituese të skemës voucher, një instrument që zbatohet në kuadër të programit 4 Helix+ dhe që ka për qëllim të nxisë rritjen e bizneseve që operojnë në sektorin e Ekonomisë Blu.

Projekti 4Helix+ financohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet programit Interreg Med, ku Shqipëria përfaqësohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ky i fundit bashkëpunon ngushtësisht me vendet anëtare të BE-së si Spanja, Portugalia, Franca, Italia dhe Greqia.

Pas thirrjes së shpallur disa muaj më parë, një numër biznesesh u ftuan të aplikonin për grante duke konkurruar me ide novatore për zhvillimin e produkteve, shërbimeve dhe modeleve të reja të biznesit.

Shuma e përfituar nga kompanitë arrin në 10,000 Euro dhe gjatë gjashtë muajve të ardhshëm kompanitë e përzgjedhura do të kenë mundësinë që nëpërmjet këtij granit të zhvillojnë dhe zbatojnë një projekt novator brenda fushës së tyre të veprimit me mbështetjen e ekspertëve. Ishin vetë kompanitë aplikuese që përzgjodhën ekspertët.

Lista e kompanive fituese mund ta gjendet në linkun më poshtë:

https://4helix.unicam.it/voucher_result.php

Projektit 4Helix+ eksploron mundësitë e bashkëpunimit mes biznesit privat, qeverisë, qarqeve akademike dhe komunitetit për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë detare, një sektor me potencial të jashtëzakonshëm.

Objektivi kryesor është ngritja e kapaciteteve dhe financimi i ideve dhe qasjeve novatore në sektorin e ekonomisë detare të Mesdheut, që vlerësohet si një nxitës ekonomik dhe një gjenerator punësimi.

Krahas mbështetjes nëpërmjet skemës voucher, projekti ka për qëllim të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve dhe adaptimin në Shqipëri të  ideve e metodologjive novatore që përdoren në vendet e Bashkimit Europian.

Projekti do të zgjasë 30 muaj dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të bashkëpunojë me institucionet qeveritare në nivel qëndror dhe lokal, biznesin privat, qarqet akademike dhe komunitetin e zonave bregdetare.

Ekonomia detare përfshin tërësinë e aktiviteteve ekonomike që bazohen në shfrytëzimin e burimeve detare: që nga peshkimi dhe transporti detar deri te turizmi dhe industritë e ndryshme.

Shumë qytetarë në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të zhvilluara, varen nga deti dhe burimet e tij. Për këtë arsye është jetësore që vende si Shqipëria të eksplorojnë modelet e vendeve të Bashkimit Europian për të kthyer këtë burim në një gjenerues punësimi dhe mirëqenieje.