Programi i Ujësjellësve Ruralë IV, që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngrihet mbi përvojën e mëparshme të programeve për skemat e ujësjellësve ruralë dhe do të zgjasë deri në vitin 2024. Financimi në total është rreth 44 milionë Euro që do të përdoren për ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe impianteve të trajtimit të ujrave të ndotur në këto dy bashki.

TIRANË – Që turizmi të vazhdojë të rritet në zonën bregdetare nga Orikumi në Himarë, nevojiten koncepte afatgjata të zhvillimit të infrastrukturës për furnizimin me ujë, kanalizimeve dhe trajtimit të ujrave dhe  Gjermania e Bashkimi Europian kanë dhënë mbështetjen e tyre për këtë.

Programi i Ujësjellësve Ruralë IV, që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngrihet mbi përvojën e mëparshme të programeve për skemat e ujësjellësve ruralë dhe do të zgjasë deri në vitin 2024. Financimi në total është rreth 44 milionë Euro që do të përdoren për ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm dhe impianteve të trajtimit të ujrave të ndotur në këto dy bashki.

Fshatrat e bregut në Bashkinë e Himarës prej vitesh janë në pritje të një zgjidhjeje përfundimtare për furnizimin me ujë të pijshëm. Gjatë 5 viteve në vazhdim do të ndërtohen skemat e reja të furnizimit me ujë të qytetit të Himarës dhe fshatrave Kuç, Buronjë, Pilur, Kudhës, Vuno, Jal, Livadh, Himarë Fshat, Qeparo, Qeparo Fshat etj. Skemat e furnizimit me ujë parashikojnë ndërtimin e depove të reja, ndërtimin e një rrjeti të ri shpërndarës, lidhjet me çdo familje dhe vendosjen e matësve. Rrjeti i kanalizimeve në qytetin e Himarës do të rehabilitohet plotësisht, ndërsa impianti i trajtimit të ujrave të përdorura do të ndërtohet nga e para, duke shmangur në këtë mënyrë derdhjen e tyre në det.

 

Orikumi është bashkia tjetër që do të përfitojë nga investimet në kuadër të Programit për Furnizimin me Ujë të Zonave Rurale IV. Një zonë shumë e frekuentuar nga turistët, Orikumi vuan prej kohësh vuan mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm dhe ende nuk ka zgjidhje për trajtimin e ujrave të ndotura. Që prej 2015-ës ka përfunduar ndërtimi i impiantit të ujrave të ndotura, që do të trajtonte ujrat e qytezës së Orikumit dhe fshatrave Dukat, Rradhimë e Tragjas. Ky impiant ende nuk është vënë në funksionim. Krahas vënies në punë të këtij impianti, do të investohet edhe në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Në këtë fazë kanë përfunduar studimet e fizibilitetit për zonën e Himarës dhe Orikumit dhe do të vijohet me hartimin e projekteve për skemat e ujësjellësve.  PUR IV rreket të sigurojë jo vetëm akses në furnizimin me ujë të pijshëm për popullsinë lokale dhe turistët, por edhe zgjidhje të qëndrueshme grumbullimit dhe trajtimit të ujrave të ndotur dhe përmirësimit të kapaciteteve menaxhuese. Nga ky projekt do të përfitojnë rreth 80,000 banorë dhe turistë që frekuentojnë këto dy zona turistike.