Programi për Zhvillimin e Turizmit në katër komponentët e tij ka si objektiv kryesor të nxisë zhvillimin e turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm në zonat Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër. Zbatimi i programit pritet të ketë impakt  në nxitjen e turizmit dhe konkurueshmërisë së vendit, por edhe në rritjen e ekonomive lokale dhe gjenerimin e vendeve të punës.

TIRANË – Pas disa projekteve të suksesshme investimi në fushën e turizmit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të zbatojë një tjetër program të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit të financuar nga Bashkimi Europian dhe Banka Europian për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Turizmi është një burim shumë i rëndësishëm i vendeve të punës dhe gjenerimit të të ardhurave për ekonomitë lokale, por edhe për ekonominë në nivel kombëtar. Investimet në turizëm janë rritur së tepërmi vitet e fundit, ç’ka është reflektuar në një numër të rritur të turistëve çdo vit.

Programi për Zhvillimin e Turizmit që ka një kohëzgjatje prej 4 vitesh (Dhjetor 2018 – Dhjetor 2023) në katër komponentët e tij ka si objektiv kryesor të nxisë zhvillimin e turizmit cilësor dhe të qëndrueshëm në zonat Berat, Korçë, Fier dhe Shkodër.

 

Janë 100 milionë Euro, 40 të financuara nga BE dhe 60 milionë nga BERZH, që do të investohen për të nxitur diversifikimin e ofertës turistike me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së Shqipërisë në tregun rajonal të turizmit, përmirësimin e aseteve turistike, përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe shërbimeve, si dhe mbështetjen e nismave ekonomike lokale.

“Jam krenar që BE-ja po investon 40 milionë Euro, në bashkëpunim të shkëlqyer me BERZH-in, për të nxitur rigjenerimin dhe zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Zhvillimi turistik është sigurisht një mjet për të rritur përvojën e vizitorëve dhe cilësinë e jetës së komuniteteve pritëse. Por, nëse planifikohet keq ose zhvillohet me tepri, mund të shkatërrojnë pikërisht ato cilësi që e bëjnë Shqipërinë unike. Kjo është sfida e sotme: të ndihmojmë ndërtimin e një sektori turistik që forcon strukturën shoqërore dhe zhvillimin ekonomik, duke i dhënë vlerë bukurive natyrore dhe aseteve kulturore të këtij vendi të bukur”, tha Ambasadori i BE-së Soreca gjatë eventit të lançimit të programit disa ditë më parë.

Ndërkaq, BERZH në bashkëpunim me FSHZH do të financojë investimet e identifikuara në kuadër të Programit dhe që do të detajohen në fazat e ardhshme të procesit.

Zbatimi i programit pritet të ketë impakt  në nxitjen e turizmit dhe konkurueshmërisë së vendit, por edhe në rritjen e ekonomive lokalë dhe gjenerimin e vendeve të punës.