Ka përfunduar puna për shkallaret, ndërkohë që është gati projekti për shëtitoren përgjatë bregut

TIRANË – Shkallaret e Sarandës, ripërtëritja e një prej simboleve të qytetit bregdetar shumë i vizituar gjatë sezonit turistik ka përfunduar edhe në detajet e fundit. Katër arteriet komunikuese përfshijnë një hapësirë prej 5,200 m² dhe lidhin qytetin me shëtitoret përgjatë bregut të detit. Shkallaret ishin objekti i parë ku nisi puna në dhjetor të vitit 2017 në kuadër të një pakete ambicioze investimesh prej 13 milionë eurosh. Investimet parashikohen në kuadër të Programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që financohet nga Banka Botërore dhe qeveria shqiptare dhe zbatohet nga Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Pas ndërhyrjeve në rrjetin elektrik dhe sistemin e kanalizimeve puna vijoi me rindërtimin e shkallareve duke kombinuar gurin e bardhë me qeramikën. Projekti i transformimit të shkallareve iu nënshtrua konsultimeve publike me përfaqësues të pushtetit vendor, specialistë të urbanistikës, grupe të interesit, banorë të Sarandës etj.


Ndërkohë investimi i radhës për Sarandën është rikonstruksioni i shëtitores “Naim Frashëri”, një ndër pikat kryesorë në qendër të qytetit. Projekti i është nënshtruar konsultimeve publike me përfaqësues të pushtetit lokal, grupe të interesit dhe banorëve të Sarandës. Pas reflektimit të sugjerimeve që kanë dalë nga këto konsultime publike projekti përfundimtar tashmë është gati dhe në javët e ardhshme do të prezantohet në një takim publik.

Koncepti final për ndërhyrjen në shëtitoren “Naim Frashëri” parashikon zgjerimin e shëtitores dhe kthimin e hapësirave në anë të saj në hapësira rekreative, me zona pushimi, gjelbërim dhe sistem ndriçimi të ulët e të lartë.

Në të njëjtën kohë, në kuadër të Programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” ka filluar puna për kryerjen e një studimi të mobilitetit dhe zhvillimit urban, që do të përcaktojë ndërhyrjet e radhës që kanë për qëllim përmirësimin e peisazhit urban dhe funksionalitetit të hapësirave urbane në qytet.