TIRANË – Vazhdon puna për rehabilimin e Qendrës Historike të Gjirokastrës, shpallur trashëgimi botërore në vitin 2005. Si një nga qytetet e pakta në llojin e vet, Gjirokastra është një prej destinacioneve kryesore turistike në Shqipëri. Për këtë arsye, ky qytet është  një nga katër qendrat urbane e mbështetur me financim nga Banka Botërore, në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmit. Ky program investimesh ka për qëllim realizimin e ndërhyrjeve të integruara në rehabilitimin e infrastrukturës urbane duke përmirësuar cilësinë e jetesës së popullsisë lokale dhe infrastrukturën pritëse turistike, me qëllim kthimin në një nga qendrat kryesore të zhvillimit të turizmit të trashëgimisë kulturore në territorin e Shqipërisë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit aktualisht është në proces zbatimi të rehabilitimit dhe restaurimit të rrugëve prej kalldrëmi të Qafës së Pazarit, që përfaqëson zemrën e qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës. Kjo zonë është një nga destinacionet më të vizitueshme dhe të preferuara në Gjirokastër, e konsideruar si porta hyrëse drejt qendrës historike. Punimet në këtë zonë konsistojnë në instalimin e një rrjeti të ri të infrastrukturës nëntokësore (rrjeti i jashtëm i furnizimit me ujë; ai i mbrojtjes nga zjarri; rrjeti i jashtëm i shkarkimit të ujërave të zeza; rrjeti i shkarkimit të ujërave të shiut; ndriçimi elektrik dhe shërbimi telefonik). Gjithashtu është parashikuar restaurimi i 85 për qind e kalldrëmit ekzistues të rrugicave dhe trotuareve si dhe zëvendësimi i atij, tejet të amortizuar. Parashikohet të kryhet deri në shtator të këtij viti edhe përmirësimi i hapësirave të gjelbëruara, vendosja e stolave të pushimit, koshave për mbeturina, stacione biçikletash, tabela informuese dhe orientuese turistike si dhe ndriçim estetik për të bërë më të aksesueshme hapësirën publike dhe për të theksuar tipare me vlerë të qendrës historike të qytetit të gurtë.

 

 

Në kuadër të këtij projekti parashikohen ndërhyje edhe për rehabilitimin e 6 shesheve e hapësirave publike të ndodhura gjithashtu në zonën e projektit dhe të lidhura në mënyrë integrale me rrugët e kalldrëmit që do të restaurohen. Ndërhyrja do të jetë specifike për secilën nga këto hapësira publike, duke konsistuar në pastrimin nga mbetjet inerte, sistemim të lehtë urban me qëllim kthimin e tyre në përdorim nga banorët dhe turistët.

 

Ky projekt po zbatohet në vijimësi të projektit të restaurimit të objekteve që përbëjnë Qafën e Pazarit, i financuar nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit “AADF” dhe në mbështetje të Institutit të Monumenteve të Kulturës.