Fondi Shqiptar i Zhvillimit nis takimet me njësitë e qeverisjes vendore në katër rajonet e vendit

TIRANË – Qasja rajonale në programet e zhvillimit dhe vendosja e një kuadri të qartë bashkëpunimi afatgjatë për një impakt më të madh ishte në thelb të takimit që Fondi Shqiptar i Zhvillimit, njësia rajonale Vlorë, zhvilloi me përfaqësues të pushtetit vendor në qarqet Fier, Vlorë, Gjirokastër.

Ky ishte takimi i parë i disa takimeve prezantuese që FSHZH do të zhvillojë deri në fund të janarit me përfaqësues të qarqeve e bashkive nga të gjitha rajonet.

Programet e investimit shpesh përfshijnë shumë aktorë interesi, çka kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm për të harmonizuar nevojat dhe interesat e secilit prej tyre me qëllim që investimet të kenë një impakt afatgjatë.

Gjatë takimit përfaqësuesit e bashkive Fier,Patos, Mallakastër, Divjakë,Lushnje,Roskovec, Vlorë, Himarë, Sarandë, Selenicë, Delvinë, Tepelene, Permet, Dropull, Libohovë, Finiq e Konsipol ranë dakord të fillojnë me krijimin e një databaze të dhënash për projektet prioritare në fushën e infrastrukturës, turizmit dhe zhvillimit ekonomik që kanë impakt në nivel rajonal. FSHZH do të mbështesë bashkitë në nevojat që mund të kenë për konceptim dhe hartim projektesh, deri te gjetja e mundësive të financimit dhe zbatimi.

 


Koordinatorja e Njësive Rajonale të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Ermira Mustafaj dhe përgjegjësi i zyrës rajonale të FSHZH në Vlorë, Romeo Pasha theksuan se zyrat rajonale të Fondit Shqiptar të Zhvillimit janë një instrument shumë efikas në dispozicion të bashkive për të marrë të gjithë informacionin dhe mbështetjen e nevojshme për projektet e tyre. FSHZH ka një përvojë 25-vjeçare në projektet e zhvillimit, prandaj ka edhe të gjithë kapacitetet për të dhënë mbështjen e nevojshme që nga faza e konceptimit dhe hartimit të projektit, deri te gjetja e financimit dhe zbatimi.

Takimi ishte gjithashtu një mundësi shumë e mirë për të prezantuar në detaje investimet e pritshme në kuadër të Programit “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale”.

Në dhjetor FSHZH ka bërë shpalljen e thirrjes së parë për bashkitë që mund të përfitojnë nga programi “Infratruktura Vendore dhe Rajonale”për projekte të zhvillimit rajonal me fokus në përmirësimin e infrastrukturës rrugore lidhëse mes njësive vendore dhe projekteve që shërbejnë si katalizator i rivitalizimit urban dhe rural.

Shpallje e Thirrjes I për financimin e projekteve nga programi “Infrastruktura Vendore dhe Rajonale”, për vitin 2019

Takimet e përfaqësuesve të qeverisjes vendore me zyrat rajonale të FSHZH do të vazhdojnë me qëllim forcimin e bashkëpunimit për projekte e investime që sjellin zhvillim ekonomik në nivel rajonal dhe ndryshime pozitiv në mirëqenien e banorëve.