TIRANË – Ka filluar prej disa ditësh puna për ndërtimin e segmentit rrugor nga ish-fabrika e Plasmasit deri në dalje të Karbunarës, rreth 1,6 kilometra.

Investimi po zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të programit “Rehabilitimi i Segmenteve Rrugore Prioritare” që finacohet nga qeveria shqiptare.

(Për më shumë informacion mbi programin klikoni këtu: www.albaniandf.org)

Ky segment rrugor i është nënshtruar ndërhyrjeve të pjesshme përgjatë viteve, por që janë dëmtuar për shkak të mungesës së veprave të artit dhe ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, si dhe ndërhyrjeve nga operatorë të elektrotelefonisë pas sistemimit të saj.

  

Projekti parashikon 2 korsi për automjetet me nga 4 metra, vepra arti në të dyja anët për mbledhjen dhe kullimin e ujrave, si dhe trotuarë në dy anët në pjesët ku rruga përshkon zona të banuara

Segmenti rrugor kalon nëpër një zonë ku banon dhe zhvillon aktivitet social-ekonomik një popullsi e konsiderueshme. Investimi bëhet i rëndësishëm edhe për faktin që kemi të bëjmë me një zonë që ka prespektivë rritjeje dhe zhvillimi si në aspektin urbanistik, ashtu edhe në atë ekonomik.

Rehabilitimi i infrastrukturës rrugore dhe ndërhyrjet e parashikuara për ndërtimin e kanalizimeve fuksionale të cilat deri tani kanë munguar tërësisht pritet të kenë impakt pozitiv edhe në mjedis.