TIRANË – Është gati plani i veprimit për hartimin e studimit të fizibilitetit për vënien në punë të impiantit të trajtimit të ujrave të ndotur në Orikum, ndërtimi i të cilit përfundoi në vitin 2015, si dhe për zgjerimin e sistemit të kanalizimeve dhe përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë në të gjithë zonën.

Koncepti paraprak i studimit të fizibilitetit,  hartuar nga një kompani gjermane u prezantua në një takim të përbashkët ku ishin të pranishëm Christina Kern dhe Bledar Dollaku, përfaqësues të KfW që për llogari të qeverisë gjermane planifikon të investojë 7 milionë Euro në zonën e Orikumit dhe Bashkinë Himarë, përfaqësues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si dhe Dorian Xhelili, drejtor i Ujësjellës – Kanalizimeve Vlorë.

Studimi i fizibilitetit pritet të përfundojë në shkurt 2019 dhe do t’i bashkohet studimit të përfunduar për Himarën që  parashikon zgjidhjen i përfundimtare për trajtimin e ujrave të ndotur dhe furnizimin me ujë.

 

Me përfundimin e studimeve të fizibilitetit i hapet rruga nënshkrimit gjatë vitit të ardhshëm të marrëveshjes së financimit mes dy qeverive për zbatimin e projekteve.

Investimet në Vlorë dhe Himarë janë parashikuar të kryhen në harkun kohor të 5 viteve nëpërmjet programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale IV” që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ky është programi i katërt që i besohet FSHZH, që nga fillimi i bashkëpunimit me KfW në vitin 2008.

Rreth 100,000 banorë pritet të përfitojnë nga këto projekte në zonën e  Orikumit dhe Himarës.

Puna për studimet e fizibilitetit për impiantet e trajtimit të ujrave të ndotur dhe ujësjellësve në Orikum dhe Bashkinë Himarë ka filluar muaj më parë. Një mision ekspertësh gjermanë së bashku me inxhinierë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit kanë zhvilluar disa takime dhe vizita në terren për të vlerësuar gjendjen aktuale të sistemit të furnizimit me ujë dhe trajtimit të ujrave të ndotura në të dyja bashkitë përfituese të projektit.