Ndriçohet rruga e Pyllit të Sodës
TIRANË – Përfundoi puna edhe për sistemin e ndriçimit në rrugën e Pyllit të Sodës. Ndriçimi përgjatë të gjithë rrugës është i tipit LED dhe shtyllat janë unifikuar me pjesën tjetër të Vlorës duke krijuar një lidhje qytetit me këtë hapësirë të re urbane dhe turistike.
Projekti për rikonstruksionin e rrugës së Pyllit të Sodës zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV- Zhvillimi i Alpeve Shqiptare dhe Zonës Bregdetare” që financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës për Zhvillim (CEB).
Janë rreth 5 kilometra që janë transformuar rrënjësisht, me korsi të dedikuar për çiklistët, trotuarë dhe ndriçim. Kjo rrugë ishte bërë pengesë për qarkullimin e automjeteve nga Vlora në Zvërnec apo zonat përreth.
Ndërkaq, me fillimin e punimeve për fazën e dytë të rikonstruksionit të rrugës Ramize Gjebrea, rruga e Pyllit të Sodës do të lidhet edhe me rrugën Transballkanike, duke krijuar një aks të ri qarkullimi për automjetet në drejtim të Vlorës dhe autostradës.