Së shpejti rreth 17 mijë banorë në 26 fshatra të bashkive Dibër, Mat, Klos, Tropojë dhe Lezhë do të përfitojnë nga ndërtimi i 6 skemave të reja të ujësjellësave ruralë. Pas përfundimit të projektit teknik, është shpallur tenderi i punimeve civile, i cili do t’i hapë rrugë zbatimit në terren të punimeve vjeshtën e këtij viti.

Ujësjellësat e rinj do të ndërtohen në njësitë administrative Qendër Tomin – Bashkia Dibër, Komsi – Bashkia Mat, Llugaj dhe Tropojë – Bashkia Tropojë, Kallmet – Bashkia Lezhë dhe Gurrë, Suç – Bashkia  Klos.

 

 
Investimi është pjesë e Projektit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III”, i cili parashikon ndërhyrje në shkallë të gjerë në zonat rurale në të gjithë vendin duke siguruar furnizim me ujë të pijshëm 24 orë/ditë pa ndërprerje me standardet më të mira.

Projekti parashikon ndërtimin e linjave të reja të furnizimit, rrjetit shpërndarës ndërtimin dhe rikonstruksionin e rezervuarëve dhe komponentë të tjerë të infrastrukturës. Të gjithë konsumatorët do të pajisen me matësa dhe do të paguajnë tarifa të pranueshme sociale. Investimi do të sigurojë qëndrushmëri dhe cilësi të lartë të furnizimit me ujë, duke plotësuar nevojat e banorëve gjatë gjithë vitit për një kërkesë për ujë prej 120 lit/banorë.

Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale është një Program i bashkëfinancuar nga Qeveria Shqiptare, Banka Gjermane për Zhvillim, KfW, Bashkimi Europian  dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.