Skema të reja të ujësjellësve – konsultim i hapur me banorët përfitues
TIRANA – Banorët e fshatrave Xhafzotaj, Arapaj dhe Shkëmbi i Kavajës u njohën këto ditë me projektin për ndërtimin e 2 skemave të ujësjellësve që do të furnizojnë me ujë të pijshëm rreth 17,000 banorë që aktualisht furnizohen me ujë të pijshëm vetëm dy orë në ditë.
Investimi është në fazën përgatitore dhe ndërmerret në kuadër të Programit Ujësjellësit Ruralë III që zbatohet nga Fondit Shqiptar i Zhvillimit dhe financohet nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bashkëpunimit Gjerman, KfW .
Gjatë kësaj jave Fondi Shqiptar i Zhvillimit organizoi një takim me përfaqësues të qeverisjes vendore, Ndërmarrjes së Ujësjellës- Kanalizimeve Durrës dhe banorëve. Këta të fundit u njohën me draft projektin, fazat e parashikuara për zbatimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen e tyre në të ardhmen.
Skemat që do të ndërtohen kanë për qëllim jo vetëm furnizimin 24 orë me ujë higjiniekisht të pastër për fshatrat Xhafzotaj, Arapaj dhe Shkëmbi i Kavajës, por edhe lidhjen e të gjithë popullsisë me rrjetin e furnizimit me ujë.
Në total investimi për ndërtimin e këtyre dy skemave kap vlerën e rreth 2,5 milion Eurove. Punimet në terren planifikohet të fillojnë në shkurt të vitit 2019 dhe do të zgjasin deri në 12 muaj.
Pas përfundimit të zbatimit të projektit, skemat e ujësjellësve do të mirëmbahen dhe menaxhohen sipas procedurave të mirëpërcaktuara nga Ndermarrja e Ujësjellësit Durrës.