Rajoni Berat, Përmet, Gjirokastër, Sarandë – Xhevahiri i fshehur i Ballkanit
TIRANË – Rajoni i jugut që përfshin qendrat urbane Berat, Përmet, Gjirokastër dhe Sarandë ka burime turistike shumë të pasura dhe shumë konkurruese për tregjet ndërkombëtare, por mungesa e elementëve bazikë dhe elementëve interpretues në sitet turistike bëjnë që potenciali turistik i destinacionit të mbetet i pashfrytëzuar plotësisht dhe oferta turistike të pozicionohet nën nivelin e standardeve ndërkombëtare.
Aktualisht, jugu i Shqipërisë është fokusuar tërësisht tek një produkt i vetëm turistik: turizmi masiv i diellit dhe plazhit, ndërsa janë neglizhuar thuajse tërësisht produktet e tjera si: turizmi natyror, kulturor, i kulinarisë, etj.
Këto janë dy nga konstatimet kryesore që nxorri studimi i tregut dhe zinxhirit të vlerës kryer me porosi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit nga një prej kompanive lider botëror në fushën e hotelerisë, turizmit dhe kohës së lirë. Konsulenca filloi punën e saj në prill të këtij viti, në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore.
Përveç mbledhjes së të dhënave dhe studimit në terrenit të rajonit me qëllim analizimin dhe krijimin e vizionit për destinacionin, janë zhvilluar edhe konsultime me përfshirjen e aktorëve kryesorë të turizmit, si: bashkitë përkatëse, sektori privat vendas dhe ndërkombëtar, përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, autoritetet rajonale, ekspertë të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, etj. Qëllimi ishte identifikimi i tregjeve, të ndara sipas vendit të origjinës së turistëve dhe llojit të turizmit, që kanë potenciale rritjeje.
Disa nga pikat e forta të nënvizuara në studim janë: prania e siteve të trashëgimisë botërore UNESCO, burimet kulturore dhe natyrore, trashëgimia autentike si isopolifonia, sazet, vallet, etj., produktet lokale, mikpritja, nismat private ekzistuese në fushën e akomodimit dhe organizimit të tureve turistike, prania e kompanive shqiptare dhe të huaja për menaxhimin e destinacioneve, etj.
Por cilat janë pikat e dobëta, ose ato që e kanë penguar deri tani zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në këtë pjesë të jugut? Ndër kryesoret, studimi përmend mungesën e infrastrukturës, mungesën e sistemit të menaxhimit të turizmit në nivel kombëtar ose rajonal, cilësinë jo të mirë të shërbimeve, strukturat private të dobëta, brandimin dhe marketimin e copëzuar dhe jo profesional, etj.
Në vijim, studimi propozon edhe vizionin turistik për secilën bashki, si dhe për jugun në nivel rajonal. Kështu, Berati shihet si një destinacion për t’u vizituar gjatë gjithë vitit, ku vizitorët mund të angazhohen në aktivitete kulturore dhe natyrore në mënyrën autentike shqiptare. Përmeti, një destinacion konkurrues autentik shqiptar ku eksperienca e natyrës së paprekur, burimet e shërimit natyral kombinohen me muzikën, ushqimin dhe prodhimet tradicionale. Gjirokastra, qyteti historik më i vizituar në Shqipëri.
Ndërsa për Sarandën vizioni është ai i destinacionit premium të bregdetit shqiptar.
Rekomandimi i konsulencës për zhvillimin e turizmit në rajonin e jugut – Berat, Përmet, Gjirokastër, Sarandë – është zhvillimi i vizionit të këtij rajoni si një xhevahir i fshehur i Ballkanit: një destinacion që kombinon pejsazhin bregdetar me atë zonave të thella; ofron eksperienca të shumëllojshme në zona urbane dhe rurale; frymëzon vizitorët që të eksplorojnë kulturën e pasur, historinë dhe trashëgiminë e UNESCO-s; fton turistët të shijojnë kuzhinën tradicionale, të përfshihen në aktivitete të natyrës dhe të ndjejnë mikpritjen shqiptare.
Pas këtij studimi, hapi i radhës është identifikimi i aktiviteteve dhe zhvillimi i aftësive specifike të nevojshme për zhvillimin e tregut dhe të produktit me qëllim që të mundësohet rritja e pjesëve të tregut që janë identifikuar me potencial. Gjithashtu do të identifikohen edhe strukturat e përshtatshme, që do të udhëheqin aktivitetet për zhvillimin e tregut dhe produkteve gjatë dhe përtej kohëzgjatjes së programit “Zhvillimi i Integruar Urban dhe Turizmin”.