2018 – 2019 fillon ndërtimi i skemave të reja të ujësjellësve për 70 fshatra
Përfitues të drejtpërdrejtë 88,000 banorë
TIRANË– Në tetor fillon puna për zbatimin në terren të projekteve për ndërtimin e skemave të reja ujësjellësish ruralë që do të furnizojnë me ujë rreth 88,000 banorë të më shumë se 70 fshatrave në të gjithë Shqipërinë.
Deri në 20 skema do të ndërtohen në kuadër të programit “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III” (FUZR III) që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe financohet nga qeveria shqiptare, qeveria gjermane përmes KfW-së, si dhe nga Bashkimi Europian.
I gjithë programi zgjat 5 vjet dhe ka si qëllim kryesor furnizimin e popullsisë në zonat rurale me ujë të pijshëm 24 orë/ditë.
Programi është ndarë në 4 Lote punimesh, të shtrira në katër rajonet e vendit.
Loti I, që mbulon rajonin juglindor të Shqipërisë parashikon tri skema të furnizimit me ujë për 16 fshatrat: Menkulas, Ponçarë, Braçaj, Dobraj, Ziçisht, Sul, Gjyres, Fitore, Koshnicë në bashkinë Devoll; Kamenicë dhe Dvoran në Bashkinë Korçë, si dhe fshatrat Kovanik Bardhaj, Skënderbej, Sutaj dhe Rrajcë në bashkinë Përrenjas.
Punimet për Lotin II që mbulon rajonin verior të Shqipërisë fillojnë në nëntor të këtij. Gjashtë skema do të ndërtohen për furnizimin me ujë të 25 fshatrave të bashkisë Dibër (Dohoshisht, Cetush, Pollozhan, Rashnopoje, Tomin), bashkisë Klos (Skënderaj, Kurdari, Suç, Kujtim), bashkisë Tropojë (Tropojë-Fshat, Kuçanë, Kasaj, Viçidol, Mejdan, Kojel Shpat, Fushë, Shumicë, Babinë, Rrogam, Cernicë, Dunishë, Bukovë, Llugaj), bashkisë Lezhë (Kallmet i Madh dhe Kallmet i vogël) dhe bashkisë Mat (German, Midhë, Kodër Qerre).
Në janar të vitit të ardhshëm fillon puna për Lotin 3. Pesë skema të reja do të ndërtohen në 12 fshatra në rajonin jugperëndimor të Shqipërisë. Në këtë lot përfshihen 4 skema për furnizimin me ujë të fshatrave Dukat, Tragjas, Jonufër, Radhimë në bashkinë Vlorë, fshatrat Kuç, Pilur, Kudhës, Qeparo në bashkinë Himarë, fshati Çiflik në bashkinë Lushnje dhe fshatrat Pashalli dhe Guri i Bardhë në Bashkinë Ura Vajgurore.
Në janar të vitit të ardhshëm fillon puna gjithashtu për Lotin 4, ku përfshihen katër skema për furnizimin me ujë të fshatrave: Vilëz, Zall – Bastar, Zall – Dajt, Shëngjin i Vogël, Besh në Bashkinë Tiranë, zona e Shkëmbit të Kavajës, si dhe fshatrat Arapaj, Xhafzotaj, Jubë, Erzen, Qarret, Katund i Ri, Fllakë, Sektor Rinia, Manëz në Bashkinë Durrës.
Programi “Furnizimi me Ujë i Zonave Rurale III” vjen në vazhdën e programeve paraardhëse FUZR I&II në kuadrin e të cilave që prej vitit 2008 janë ndërtuar 53 skema ujësjellësish për 40,000 banorë. Viti 2020 do të shënojë përfundimin e Programit të Ujësjellësve Ruralë III.