TIRANË – Berati dhe Përmeti janë marrë në studim muajt e fundit për të identifikuar alternativat më të mira të zhvillimit me impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Studimi është kryer në kuadër të projektit për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik, që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Pas një sërë vizitash në terren dhe takimesh me aktorët e interesit, kompania e konsulencës që ka marrë në studim këto dy qytete, ka propozuar alternativat përkatëse të zhvillimit të cilat do të konsultohen me aktorët e interesit përpara marrjes së një vendimi final se ku do të orientohet zhvillimi i këtyre dy qyteteve.

Tri janë alternativat e zhvillimit të identifikuara për Beratin. E para e sheh qytetin si qendër administrative rajonale dhe qendër e aktiviteteve e shërbimeve kulturore. E dyta e sheh Beratin si një qytet “të gjelbër dhe blu”, miqësor ndaj mjedisit dhe të shëndetshëm, ndërsa e alternativa e tretë e zhvillimit bazohet në Beratin si një qytet i trashëgimisë kulturore dhe qendër rajonale e turizmit. Të trija alternativat bazohen në vizionin e forcimit të rolit të Beratit si qytet i trashëgimisë botërore të UNESCO-s dhe krijimin e një mjedisi urban vibrant, që mundëson zhvillimin ekonomik bazuar në kutlurë dhe turizëm. Për secilën prej alternativave propozohen edhe paketa të ndërhyrjeve përmirësuese në infrastrukturën e qytetit. Kështu, do të përmirësohet lidhja dhe lëvizshmëria mes lagjeve historike Mangalem dhe Gorricë, me zonën përgjatë lumit Osum dhe hapësirat urbane rrotull Pallatit të Kulturës, Bibliotekës së Qytetit dhe shesheve .

 

 

Alternativat për Përmetin janë po ashtu tre. E para sugjeron orientimin e qytetit në një qendër rajonale të tregtisë dhe agro-biznesit. Duke pasur parasysh pasuritë natyrore të Përmetit, alternativa e dytë propozon zhvillimin e Përmetit si një qendër eko-turizmi për turizmin malor dhe kulturor. Ndërsa alternativa e tretë e zhvillimit e vë theksin në trashëgiminë kulturore dhe turizmin,  si nxitësit kryesor të një zhvillimi gjithëpërfshirës e të qëndrueshëm.

Vizioni i zhvillimit të Përmetit për shfrytëzimin e potencialit të qytetit si një qendër rajonale dhe turistike, miqësore me mjedisin dhe që ofron cilësi të lartë të jetësës është në thelb të të trija alternativave për zhvillim. Edhe për Përmetin propozimet për drejtimin e zhvillimit të qytetit, shoqërohen me paketa investimesh, që kanë si synim rigjallërimin e zonave të braktisura dhe transformimin e tyre në qendra të aktiviteteve sportive, kulturore e artizanale; rehabilitimin e pamjeve panoramike të rrugëve të qytetit modern; rehabilitimin e zonës Guri i Qytetit; zhvillimin e një shtegu këmbësor në bregun lindor të Vjosës, ndërhyrje në lagjen historike dhe përmirësimin e aksesit për në Kishën e Leusës.

Studimi në fjalë është produkt i një grupi pune të përbërë nga ekspertë të huaj dhe shqiptarë në fushat e zhvillimit urban, transportit, trashëgimisë kulturore, turizmit, mjedisit, etj. Ai do të prezantohet këtë javë te aktorët kryesorë të interesit: Ministria e Infrastruktures dhe Energjitikes, Ministria e Kulturës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, bashkitë e Beratit dhe Përmetit që janë përfitues të drejtpërdrejtë. Në bashkëpunim me ta do të përzgjidhet alternativa me impaktin më të lartë në zhvillimin e qëndrueshëm të qyteteve.

Pas përmbylljes së kësaj faze do të kalohet në etapën e radhës, që është propozimi i paketave të investimeve konkrete bazuar në një analizë të detajuar teknike, ekonomike dhe sociale.