Rikonstruksioni i rrugës “Ersekë – Leskovik”
Kjo ndërhyrje do të përfshijë përmirësimin e konektivitetit rajonal dhe ndërkufitar dhe lehtësimin e aksesit drejt potencialeve turistike të rajonit të Përmetit, duke sjellë zgjerimin e ofertës turistike të rajonit dhe rritje të oportunitetit për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm rajonal.
Gjithashtu projekti i rikonstruksionit synon të përmirësojë cilësinë dhe sigurinë e qarkullimit duke ruajtur gjurmën ekzistuese të rrugës. Gjatësia e aksit rrugor është 42 km, duke filluar në km 0.00 km nga varrezat e qytetit të Ersekës dhe vazhdon deri në kryqëzimin e aksit të rrugës Leskovik -Dogana Tre Urat.
Rruga ekzistuese është kryesisht e ngushtë, me kthesa të vështira (të rrezikshme) dhe tepër e amortizuar. Rruga në përgjithësi ka qëndrueshmeri por në segmente të veçanta ka çeduar dhe sinjalistika është shumë e dobët ku mungojnë tabelat, kufizimet e shpejtësisë në kthesa, vijëzimet, si dhe mbrojtëset metalike në vendkalime të rrezikshme, etj.
Gjerësia e asfaltit të ri do te jetë 5 m dhe rruga do te zgjerohet në të gjithë gjatësinë, në anën e djathtë të saj. Në tërësi, ndërhyrjet e propozuara në projekt do të jenë:
- Ndërtimi i shtresave asfaltike të rrugës ekzistuese
- Ndërtimi i nënshtresave (në shtresat me dëmtime të mëdha);
- Zgjidhja e drenazhimit të rrugës;
- Ndërtimi i mureve mbajtëse dhe pritëse;
- Ndërtimi i tombinove dhe veprave të artit në rrugë;
- Sinjalistikën vertikale dhe horizontale;
Rruga Ersekë –Leskovik lidh qytetin e Ersekës me qytetin e Leskovikut duke qenë arterie kryesore lidhëse e Shqiperisë Juglindore nga Tepelena – Përmet – Kolonjë – Korçë në lëvizjen e mjeteve, banoreve, mallrave, etj.
Eshtë një zonë me një peizazh të pasur natyror dhe njëkohësisht është e vetmja rrugë lidhëse për banorët e fshatrave të Kolonjës me qytetin e Ersekës dhe më tej me zonën e Korçës.
Njëkohësisht ky aks rrugor rezulton të ketë një dimension strategjik për zhvillimin e turizmit në rajonet e Përmetit, Korçës dhe Gjirokastrës dhe i shërben banorëve jo vetëm të Ersekës, por edhe të gjithë turistëve vendas e të huaj të cilët frekuentojnë zonën juglindire të Shqipërisë.