Programi i Ujësjellësave Ruralë, në zbatim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit vijon bashkëpunimin me Shoqëritë e Ujësjellës Kanalizimeve. Një element i rëndësishëm është dhe ai i shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira të zhvilluara në operimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

Në këtë drejtim, pas vizitës studimore në Nëntor 2019 pranë Shoqërisë UK në Lezhë, vizita e dytë studimore u zhvillua në Kosovë, konkretisht në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Hidrodrini” (K.R.U) Sh.a – Pejë, nën drejtimin e z. Agron Tigani.

Fokusi i kësaj vizite ishte “Ndikimi i rajonalizimit të shërbimeve me ujë në Pejë në Operimin dhe Mirëmbajtjen e Qëndrueshme”. Të pranishëm ishin Drejtor i Projektit FUZR III z. Ulrich Sammet, Menaxher i projektit FUZR III AHT Consul Aqua z. Herrie Heckman, përfaqësues nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit; Menaxher Projekti Z. Leonard Miloti, Menaxher Kontrate Z. Avni Dervishi si dhe personeli drejtues dhe teknik i Shoqërive UK të Tropojës, Matit, Dibrës, Urës Vajgurore, Devollit, Himarës dhe nga sektori UK Bashkia e Klosit.

Këto dy Shoqëri UK pjesë të vizitave studimore cilësohen si raste suksesi, ku janë aplikuar procedurat më të mira nisur nga mbështetja institucionale, përfituar nga projekte të ngjashme me FUZR III.

Shoqëria “Hidrodrini” fillimisht zhvilloi një përmbledhje prej ngritjes së kësaj Shoqërie Rajonale, proceset e biznesit dhe menaxhimit.  Hapat e parë për Rajonalizimin e Ndërmarrjeve të Ujësjellësit në Kosovë u hodhën vitin 2004, proces i cili u kompletua në vitin 2006. Para këtij procesi ishin rreth 25 sh.a Ujësjellësi, tashmë grupuar në 7 kompani të mëdha (një prej tyre “Hidrodrini” K.RU). Z. Tigani nënvizoi se ky proces rajonalizimi ndikoi pozitivisht në:

  • vlerësimin e aseteve
  • optimizimin e resurseve
  • mbulimin e kostove operative dhe të mirëmbajtjes
  • konsolidimit financiar (përmes unifikimit të tarifës, databazë për sistemin financiar dhe raportim i përbashkët përkundrejt aksionerit – Qeveria)
  • standard të njejtë në shërbime dhe integrim edhe të sistemeve rurale
  • rritje e interesit të donatorëve për financim në projekte me impakt të gjerë

Pamvarësisht sfidave shpesh të refuzimit në integrim të Shoqërive specifike në këtë proces dhe kundërshtimit të Komunave, sërish rajonalizimi siguroi se nuk pati reduktim stafi (4.5 punëtorë për 1 mijë konsumatorë) dhe madje mundësoi një përshirje më të lartë të ekspertëve të fushës në Bord.

Aktualisht ka përfunduar dhe është vënë në operim ITUN Pejë (donacion nga KFW), subjekt i vizitës së radhës në terren.  Gjatë kësaj vizite përfaqësues të Ujësjellësave u njohën nga afër me proceset e zhvilluara në këtë impiant dhe stadet e trajtimit.

Gjithashtu projekti përpos vizitës studimore parashikonte dhe seminarin përmbyllës për komponentin Masat Shoqëruese FUZR III, ky i fundit kombinuar me studimin në terren dhe u zhvillua në Valbonë më datë 15 Prill 2022.