Projekti “Dua të luaj”
Aktiviteti i FSHZH përpos projekteve infrastrukturore në rang kombëtar, paralelisht është shtrirë në të gjithë drejtimet e sistemit tonë të jetës duke synuar zhvillimin e kapaciteteve njerëzore, prodhuese, ndërveprimit social, kapaciteve qeverisëse duke mbrojtur dhe përmirësuar gjithashtu burimet dhe pasuritë natyrore.
Me realizimin e suksesshëm, dhe përfshirjes në procesin e Rindërtimit (prej rindërtimit të shkollave, shtëpive, banesave kolektive dhe ndërtimin nga e para të zonave të reja zhvillimore), e në projekte të shumta cilësore sa i takon rikualifikimit urban në çdo qark të Shqipërisë, së fundmi FSHZH po zhvillon projektin “Dua të luaj”, i cili jo vetëm do të përmirësojë cilësinë e jetës, por edhe do të krijojë kushte optimale për edukimin e brezit të ri dhe bashkëveprimit social në komunitet.
Studime të shumta ndërkombëtare paraqesin rezultatin e përbashkët se, rigjenerimi i hapësirës publike konsiderohet një element me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe mirëqënien sociale.
Sa i takon konteksit në vendin tonë, zhvillimet urbane në dekadat e fundit në qytetet e Shqipërisë, shpesh herë nuk i kanë dhënë rëndësinë e duhur hapësirës publike duke mos krijuar kushtet për komunitetin për hapësira relaksuese, sportive apo rekreative. Shumë zona me densitet të lartë urban, kanë mangësi të theksuar të parqeve, lojrave dhe faciliteteve sportive, pa përfshirë këtu edhe shërbime të tjera duke cënuar funksionalitetin e një zone banimi. Krijimi i një hapësire publike me cilësi të lartë dhe kushte gjithëpërfshirëse do të mundësojë ringjalljen e jetës komunitare dhe konsolidimin e frymës së komunitetit aktiv.
Nëpërmjet këtij projekti, FSHZH synon rritjen e mirëqenies së komunitetit dhe dhënien e mundësisë për zhvillimin konjitiv dhe motorik të brezave të rinj. Të ofrojë një hapësire stimuluese për fëmijët, ku ndërthuren elemente natyrorë me facilitete gjithëpërfshirëse dhe të krijojë kushte të favorshme për bashkëveprim të shëndetshëm në komunitet. Projekti do të zbatohet në hapësira publike të destinuara për parqe në zonat e banuara në të gjithë territorin e vendit.
Ndërhyrjet në kuadër të këtij projekti konsistojnë kryesisht në:
- Projektimin e hapësirave të propozuara në bazë të kushteve arkitektonike dhe natyrore, me qëllim shfrytëzimin sa më të mirë të hapësirave në vendndodhjen e përcaktuar;
- Ndërtimin e këndeve që mundësojnë zhvillim të aftësive motorike dhe konjitive të fëmijëve të moshave të ndryshme, dhe që aksesohet nga të gjithë;
- Rimodelimi apo përmirësimi i këndeve të lojërave ekzistues të degraduar, me qëllim rritjen e aksesit dhe bashkëveprimin me elementet natyrorë;
- Krijimi i infrastrukturave të cilat ndikojnë në sigurinë për grupmoshat 0-14 vjeç, si psh. sinjalistikë në infrastrukturën rrugore, barriera mitigimi nga hapësira urbane rrethuese në këndet ekzistuese; Etj.