Hapësirë publike në dobi të komunitetit, rijetëzohet lulishtja në qendër të qytetit Elbasan
Qyteti i Elbasanit ndodhet në Shqipërinë e mesme dhe njihet ndryshe si ‘kryeqendra e ditës së verës’ (festë pagane), ku vizitorë nga gjithë vendi shkojnë çdo vit për të festuar më 14 Mars. Një nga zonat më të populluara në ditë të shënuara (dhe jo vetëm) është qendra e qytetit, në të cilën po realizohet projekti ‘Rehabilitimi i lulishtes qendrore të qytetit Elbasan’ për sistemimin e infrastukturës dhe krijimin e hapësirave funksionale në qendër.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është drejt përfundimit të projektit për ta bërë këtë zonë dinamike për zhvillimin e aktiviteteve sociale, në shërbim të banorëve të tij. Investimi synon të rrisë cilësinë e ambjenteve të hapura publike në përputhje me elementët e rëndësishëm historike, kulturore dhe fetare që mbart qendra e qytetit të Elbasanit.
“Sheshi ishte i papërdorshëm më parë, na mungonin vendet publike si dhe kemi një kohë që e kërkonim këtë ndryshim. Të paktën kemi një hapësirë për pasditeve, me fëmijët.” Banor i zonës
Ndërhyrja e unifikon arkitekturën dhe e rivitalizon gjithë hapësirën përreth, duke i dhënë një dimension të ri bashkëkohor. Me realizimin e këtij projekti, qendra ndërlidhet në të dy krahët e bulevardit por edhe vizualisht ndërthuret si me teatrin ‘Skampa’ po ashtu edhe Xhaminë e Ballies.