Transformimi i zonës së Liqenit Artificial në Qytetin e Ballshit, Mallakastër
Drejt përfundimit rehabilitimi i zonës së liqenit artificial, ndërhyrje e cila krijon hapësira të reja rekreative dhe argëtuese për banorët. Deri dje, zona përreth liqenit artificial kishte infrastrukturë tepër të kufizuar në drejtim të hapësirave funksionale dhe shplodhëse. Nëpërmjet realizimit të këtij projekti, i cili është pjesë e programit “Infrastuktura Vendore Rajonale”, zona rijetëzohet dhe integrohet më së miri me pjesën urbane të qytetit.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit me rikonceptimin e rezervuarit artificial dhe hapësirave përreth tij synon të ketë një impakt të dukshëm në zhvillimin e mëtejshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Si një nga pikat më të rëndësishme në qytet, sistemimi i saj do të ofrojë standard bashkëkohore urbane dhe një dimension multifunksional për komunitetin.
Investimi vjen dhe si një domosdoshmëri në mbrojtjen e mjedisit dhe minimizimit të impaktive negative në liqen. Gjithashtu peizazhi mbreslënës për banorët dhe vizitorët do ta shndërrojë atë në një pikëtakimi përgjatë çdo sezoni të vitit. Shtuar këtu dhe karakteristikat e veçanta kulturore, historike, ekonomike, sociale dhe mjedisore, të cilat në vitet e fundit kanë nxitur një interes në rritje nga turistët vendas dhe të huaj.
Në këtë kuadër, FSHZH vjen në mbështetje të zhvillimit lokal, (turizëm, socio-ekonomik) duke i dhënë një vlerë të shtuar qytetit të Ballshit.