Aktualisht është realizuar rreth 40% e punimeve

Vazhdojnë punimet për segmentin rrugor ‘Roskovec deri tek rrethrotullimi i Poshnjes”, projekt i cili shtrihet në zonën qendrore-jugore të Shqipërisë dhe synon ndërlidhjen rajonale dhe lehtësimin e aksesit për zhvillim të mëtejshëm ekonomik.

Ky aks shërben dhe si lidhje për pikat me potencial të lartë turistik në rajonin e Beratit dhe Fierit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit me financim të Bankës Botërore në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare është duke zhvilluar një prej projekteve më ambiciozë, i cili synon në përmirësimin e rrugës ekzistuese, lehtësimin e transportit të mallrave, shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe jo vetëm. Për shkak të problematikave të mëparshme në terren dhe ankesave të banorëve ishin vënë re rrëshqitje dhe dëmtime të rrugës, duke ndikuar dhe në sigurinë rrugore.

Tashmë ky aks i cili ka një trafik mjetesh prej 3800 – 4100 në ditë, është në proces rehabilitimi duke siguruar lëvizjen brenda të gjithë standardeve të ndërtimit. Në përfundim do të pajiset dhe me sinjalistikën e plotë në funksion të banorëve të zonës dhe automjeteve.

100%

Si një rajon me terren fushor dhe kodrinor bujqësia e blegtoria kanë rëndësi të veçantë dhe kjo ndërhyrje do të ndikojë në hapjen, prodhimin e produkteve dhe zhvillimin e aktiviteteve në bujqësi, blegtori dhe agroturizëm. Ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugës paraqet rëndësi të lartë si një urë lidhëse për zonën e juguperëndimit, pasi segmenti ndikon në rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e cilësisë të jetesës.